Rezultatet e deritanishme të SC Gjilanit, në Superligën e Kosovës në futboll, nuk janë ato të pritura, nëse kemi parasysh potencialin që e ka skuadra brenda vetes. Skuadra kuq e bardh, nga 13 javë të zhvilluara deri më tani, në elitën e futbollit kosovar, ka të grumbulluara vetëm 14 pikë, duke u pozicionuar në vendin e tetë të tabelës së klasifikimit, e po aq pikë ka edhe skuadra e parafundit Ferizaj, derisa e fundit është Feronikeli me vetëm tri pikë.
Kjo ka bërë që të lindin dilemat, mbi qëndrueshmërinë e “karriges” së kryetrajnerit të klubit, Ardian Nuhiu, që thuhej se kishte filluar të luhatej.
Por, duket se SC Gjilani e ka sqaruar këtë punë sot përmes një komunikate zyrtare ku iu është ofruar besimi i plotë për Ardian Nuhiun
“Sport Club Gjilani komunikon mbështetjen e plotë për stafin teknik me në krye Ardian Nuhiun, pas kërkesës së tij të fundit për rishqyrtim pozicioni.
Pas diskutimeve të hollësishme dhe analizimit të situatës, bordi ka vendosur që të ofrojë mbështetjen dhe besimin e plotë për kryetrajnerin Nuhiu dhe gjithë stafin teknik, duke konsideruar se kanë dhënë kontribut të paçmueshëm në ndërtimin e ekipit”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Më tej thuhet: “Besojmë fuqishëm në kryetrajnerin Nuhiu dhe stafin teknik që kanë aftësinë dhe vendosmërinë e duhur për të vazhduar këtë rrugë dhe për të kapërcyer çdo sfidë që mund të hasim. Ne jemi të gjithë bashkë në këtë proces dhe mbështetja jonë ndaj tij dhe stafit mbetet e plotë”. /2LONLINE/