Aqif Blyta padyshim është personaliteti dhe lideri më me ndikim i boshnjakëve dhe shqiptarëve të Sanxhakut në periudhën e Mbretërisë së SKS (1918-1829) dhe Mbretërisë së Jugosllavisë (1929-1941). Ai është një lloj fenomeni politik i kësaj periudhë kohore.
Nga: Ismet Azizi
Edhe atëherë kur veproi krejtësisht i pavarur pa asnjë parti që do të qëndronte prapa tij, dihej se në trevat e Dezhevës (Pazarit të Ri) dhe në atë të Senicës askush nuk mund të merrte votat e votuesve dhe zgjedhësve pa mbështetjen e Aqifit. Një ndikim i tillë tek sanxhaklinjtë dhe një autoritet të tillë politik në popull nuk ia dolën ta krijojnë deri më tani asnjë politikan në këtë rajon.
Për t’ia zvogëluar rolin e tij historik, disa historianë e vënë në rend të parë origjinën shqiptare të familjes së tij. Ata harrojnë se Aqifi ka lindur në Pazarin dhe është sanxhakli dhe është në trojet e veta, dhe se gjithë jetën ia përkushtoi luftës për një të ardhme më të mirë të Sanxhakut dhe banorëve të tij shqiptarë, boshnjakë, sërb që jetojnë aty, për këtë ideal dha edhe jetën. Përveç kësaj ata harrojnë, se partia Xhemijeti jo vetëm që mblodhi shqiptarët, por edhe boshnjakët dhe të gjithë myslimanët e tjerë nga territori i Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë. Duhet të theksohet se Aqif efendiu; gjë që është e rrallë në atë kohë, ishte një intelektual i kompletuar me shkallë të lartë arsimore, me akademi ushtarake por edhe një biznesmen shumë i suksesshëm, i cili i përkiste elitës ekonomike të Sanxhakut në atë kohë.
Aqif Blyta ka lindur në vitin 1887 në Pazarin e Ri në familjen Blyta, bir i Eminit dhe Jaldëzës. Ai ishte shqiptar dhe familja e tij ishte me prejardhje nga Gjakova. Duke qenë besimtar i devotshëm, ai e mori mbiemrin e gjyshit të tij Ahmeti, i cili kishte qenë në haxh, kishte marrë titullin haxhi, dhe kështu edhe rrodhi mbiemri Haxhiahmeti. Për ta koprimituar, emrin e familjes Blyta, lideri komunist i Pazarit, Ramiz Crnishanin, ka shkruar: “Ai e mbajti mbiemrin e babait të tij Blyta, të cilin e vë në pah nga fillimi i pushtimit në vitin 1941 për t’u definuar si shqiptar para pushtuesve gjerman”. Mandej regjistrohet dhe u diplomua në Akademinë Ushtarake në Manastir. Në vitin 1913, ai u vendos në Turqi, kur edhe përfshihet nga Lufta e Parë Botërore. Si oficer aktiv në gradën e kapitenit, luftoi në anën ushtrinë turke gjatë Luftës së Parë Botërore. Sipas Zhivkoviq, fitoi Kryqin e hekurt gjerman të klasës së dytë për trimëri”.
Blyta u kthye në vendlindje në vitin 1919, kur filloi karriera e tij politike. Darko Tanaskoviq për Blytën thotë se “Personalitetin e tij politik e ndërtoi në bazë religjioze dhe përkushtimit ndaj Islamit, si dhe karizmës personale dhe pasurisë së fituar gjatë periudhës midis dy luftërave, duke u marrë me tregti. Sipas bashkë kohanikëve, Blyta ishte nën ndikimin e sofizmit. Dhe përveç kësaj, shpesh u shfaq në xhami të ndryshme, por jo vetëm për shkak të ndjenjave fetare, por edhe për të mbajtur fjalime politike, në sajë të të cilave përhapi ndikimin e vet politik.Psikologjinë e masës e kuptoi mirë dhe me shkathtësi përdori demagogjinë dhe popullzimin Përveç kësaj, një burim gjerman nga 1941 e përshkruan Blytën si “një personalitet të shkëlqyer nga i cili del energji e madhe.”
Blyta ishte një nga njerëzit më të pasur në Sanxhakun lindor. Ishte Kryetar i Bordit Drejtues të Shoqatës Tregtare të tregtisë në Qytet, këshilltar i Odës Ekonomike në Podgoricë, ndërsa prej vitit 1938 deri në gjysmën e parë të vitit 1940 edhe anëtar i Drejtorisë së Vakufit dhe Kuvendit të Vakufit në Shkup.
Në aktivitetin e Xhemijetit, fillimisht një lëvizje fetare-kulturore, dhe më vonë parti shqiptare-myslimane (boshnjake) e cila tubonte krerët myslimanë të Maqedonisë, Kosovës dhe Sanxhakut, Blyta kyçet në vitin 1919. Në kuvendin themelues të mbajtur në Shkup, më 19 dhjetor 1919 Blyta u zgjodh sekretar i kësaj partie. Kryetari i partisë ishte Nexhib Draga, një prej politikanëve të shquar në mesin e shqiptarëve, i cili në momente të caktuara, kur ishte nevoja ishte aleat i radikalëve. Nexhipi ishte vëllai i madh i liderit të ardhshëm Xhemijetit dhe bashkëpunëtorë i ngushtë i Blytës. Ferhati, përndryshe, në këtë kohë ishte i ikur jashtë atdheut.
Në nivel lokal, Blyta ishte organizator i kuvendit themelues i Xhemijetit në Novi Pazar, i cili u mbajt më 4 prill 1920. Tubumi i aprovoi të gjitha vendimet e Kuvendit themelues. Në këtë kontekst, u miratua rezoluta e veçantë, një nga dy nënshkruesit ishte Aqif Blyta.
Në tubim u vunë themelet e Xhemijetit në Pazarin e Ri dhe rrethinë. Sipas autorit M Radoviq “Që nga themelimi i Xhemijeti, Aqifi ishte anëtar dhe lider i tij në Novi Pazar, deri në shpartallimin e kësaj partie. Luajti rol të rëndësishëm në Këshillin e Përgjithshëm të Xhemijetit.” Megjithatë, edhe pse ishte i renditur lart në listën e Xhemijetit, Blyta, nuk arriti të kandidohet në zgjedhjet parlamentare në nëntor të vitit 1920, kur Xhemijeti kishte fituar tetë mandate. Sipas M. Radoviqit: “Ka dy arsye për këtë. Së pari, Blyta si një ish-oficer i një vendi armik i Srebisë, kishte probleme për të marrë shtetësinë jugosllave dhe iu deshën disa vite për ta rregulluar këtë status. Meqë ai e dinte gjuhën turke, shqipe dhe serbe, si i deleguar i partisë, edhe pse nuk ishte deputet, shpesh shkoi në Beograd për çështje të ndryshme politike. Ai me ndërgjegje të lartë kreu funksionin e sekretarit të partisë. U angazhua në ruajtjen e unitetit në parti dhe unitetin e të gjithë myslimanëve në Jugosllavi. Kërkoi që të harrohen grindjet partiake nga e kaluara dhe kundërshtoi përçarjet në Xhemijet. Centralizimi i tij partiak është pasqyruar mirë kur kërkoi që kandidatët për deputetë të nënshkruajnë dorëheqjet blanko në rast se nuk ndjekin direktivat e partisë. Megjithatë, si shqiptar që ishte ai ishte më i përafërt me rrymën pro shqiptare në Xhemijet, duke përkrahur Nexhipin (vdiq 1922) dhe Ferat Dragën.
Në janar të viti 1923 Ferhad Draga, në Kongresin e 4-të të partisë, si lider i shqiptarëve të Kosovës, si dhe me përkrahjen e myslimanëve (pra shqiptarëve dhe boshnjakëve) të Sanxhakut imponohet lider i partisë. Për ngritjen e tij të shpejtë është meritor Aqif Blyta i cili Dragës i siguroi përkrahjen e Sanxhaklinjëve.
Për shkak të gatishmërisë së tij në Xhemijet dhe mbështetjes politike ndaj Ferat Dragës, Blyta emërohet në krye të listës së kandidatëve të Xhemijetit për qarkun e Shtavicës (Tutinit) në zgjedhjet parlamentare të marsit 1923. Xhemijeti në këto zgjedhje kaloi shumë mirë duke i fituar 14 mandate dhe si partner i koalicionit hynë në qeverinë e Nikolla Pashiqit. Aqif Blyta në njësinë e tij zgjedhore arriti një fitore bindëse, duke fituar 51.78% të votave. Rezultati i zgjedhjeve në qarkun Shtavicë (Tutinit) dhe Dezhevë (Novi Pazarit) dëshmuan për reputacionin dhe ndikimin e Blytës që ka pasur në këtë trevë. Ferat Draga po ashtu korri fitore në qarkun e Zveçanit-Rashkës. Megjithatë, zgjedhjet në qarkun e Dezhevës dhe Shtavicës kaluan me një numër të parregullsive, kështu që komisioni verifikues i kontestoi pothuajse të gjitha mandatet e fituara të Xhemijetit, dhe në mesin e tyre edhe atë të Blytës. Atij para se gjithash i është zënë. për të madhe bashkëpunimi i tij me kaçakun e mirënjohur Jusuf Mehoniqi, dhe një kohë të gjatë nuk ka pasur shtetësi serbe e jugosllave, dhe se ka jetuar gjatë në Turqi. Falë ndërhyrjes së të parit të radikalëve Nastas Petroviq, Blytës iu respektua mandati dhe në vitin 1923, u bë deputet në Kuvendin e Mbretërisë SKS. Përveç kësaj, Blyta nga Xhemijeti u kandidua për 6 komisione dhe në fund arriti të bëhet anëtar i tre komisioneve.
Kariera e Blytës si deputet edhe pse jetëshkurtër, ishte për t’u mbajtur në mend. Në të vërtetë sipas Hrabakut, deputetët e Xhemijetit, për shkak të mos njohjes së gjuhës sërbe, por edhe në mungesë së aftësive profesionale dhe politike, rrallëherë kanë marrë fjalën në parlament për t’iu drejtuar opinionit.
Aqif Blyta ishte me përvojë dhe njohës i mirë i rrethanave. Paraqitja më e dalluar e tij në Parlament ishte më 6 dhjetor 1923 në një takim të Komitetit Financiar. Aqif Blyta në fakt, edhe pse nuk ishte në rend të ditës pra që kishte të bënte me buxhetin për vitin e ardhshëm, e hapi temën e vrasjes dhe torturimin e shqiptarëve etnikë në Mitrovicë dhe Gjakovë nga ana e autoriteteve policore gjatë zgjedhjeve komunale të mbajtura në gusht 1923. Ai kërkoi që autoritetet të rrisin përpjekjet e tyre për të gjetur dhe ndëshkuar autorët e krimit. Në anën tjetër, ka kritikuar vonesën e aprovimit të Ligjit për gjykatat e Sheriatit, me të cilin është menduar të jetë themeli i koalicionit ndërmjet radikalëve dhe Xhemijet. Blyta u ankua edhe për çështjen e pazgjidhur të reformës agrare në krahinën e Sanxhakut. Diskutimi protestues i Blytës ka qenë i projektuar në qarqet udhëheqëse të Xhemijetit si reakcion ndaj marrëdhënieve të tensionuara midis partnerëve të koalicionit. Në këtë takim Blyta nuk kanë votuar për buxhetin e ri dhe se anëtari tjetër i Komitetit Financiar nga radhët e Xhemijetit ishte në takim (zyrtarisht ai ishte i sëmurë), buxheti nuk është miratuar, dhe ministri i Financave, Millan Stojadinoviq ishte i detyruar të japë dorëheqjen. Duke sulmuar partnerët e koalicionit në qeveri, e cila ishte tashmë në krizë, Blyta tërhoqi vëmendjen e opinionit politik. Rebelimi i tij gjatë fjalimit dha sinjal rënien e shpejt të qeverisë.
Disa ditë më vonë, më 15 dhjetor 1923 Aqif Blyta në seancën e rregullt të Kuvendit vazhdoi kritikat e tij. Ai akuzoi të gjithë ish autoritetet jugosllave se myslimanëve në Sanxhak iu është konfiskuar në mënyrë të paligjshme toka, dhe iu është dhënë ortodoksëve. Kështu, në të njëjtën kohë nga foltorja e parlamentit sulmoi qeverinë dhe opozitën, e cila shkaktoi një tronditje në mesin e deputetëve. Në vazhdim kërkoi të respektohen të drejtat kushtetuese të myslimanëve në Sanxhak, Maqedoni dhe Kosovë, në të vërtetë të trajtohen njëjtë si serbët, kroatët dhe sllovenët. Garantoi se myslimanët janë besnik ndaj Beogradit (si provë për këtë numëroi viktimat myslimane që ranë në mbrojtjen Beogradit në vitin 1915) dhe se kurrë nuk do të kthehen kundër “fqinjëve” të tyre sërbë. Ai gjithashtu kërkoi nga opozita të formojë një komision i cili në vend të ngjarjes të vërtetojë pohimet e tija se reforma agrare për popullsinë myslimane ka shkaktuar probleme, pa ndonjë dobi.
Deri nga mesi i vitit 1924 Blyta ishte tashmë njëri nga politikanët me ndikim në Xhemijet. Përveç paraqitjeve të tia të sukseshme publike, në lidhje me këtë dëshmon fakti se fakti se personalisht Nikolla Pasiq i bënë ftesë për negociata kur qeveria për shkak të krizës në mars të vitit 1924 bënë përpjekur për të zbutur marrëdhëniet me Xhemijetin. Në shkurt 1924 Aqif Blyta pati një paraqitje të re në Kuvend. Gjegjësisht, pasi pësuan disa civilë shqiptarë në fshatrat rrethin e Vushtrrisë gjatë fushatës për të kapur një vjedhës nga xhandarmëria, Fehrat Draga dhe Aqif Blyta dorëzuan një interpelancë në Ministrinë e brendshme. Në këtë kontekst Blyta diskutoi në Kuvend më 30 mars 1924 kur interpelanca ishte në rend të ditës. Blyta u lidh me diskutimin e Farhat Dragës për dhunën ndaj popullatës jo të krishterë në Kosovë dhe Sanxhak nga ana e policisë. Pas këtij diskutimi pasuan raporti i detajuar i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe disa sulme ndaj Farhat Dragës dhe Xhemijetit nga politikanët sërbë nga Kosova dhe Dukagjini.
Megjithatë, forcimi i Xhemijetit dhe prononcimet më të lirshme të përfaqësuesve të tij, dhe përafrimit ndaj opozitës, në të vërtetë ndaj Partisë Fshatare republikane kroate të Stjepan Radiq (me kontaktet tashmë ekzistuese me JMO), nuk i përshtatej Nikolla Pashiqit. Ai në gjykatë me mbështetjen e gjykatës arrin eliminimin e Xhemijetit nga skena politike jugosllave.
Tehu i sulmeve të tyre verbale ishin të drejtuara ndaj bashkëpunimit të anëtarëve të Xhemijetit me shumicën e bandave kaçake. Blyta, në anën tjetër, përmendi se xhandarët nga qarku i Shtavicës (Tutinit) janë në lidhje me kaçakët dhe ndajnë plaçkën me ta. Ai tha se nga kaçakët pësojnë myslimanët dhe serbët dhe se Xhemijeti nuk ka asnjë lidhje me ta. Ai gjithashtu përmendi marshimin e Kosta Peçancit nëpër Sanxhak në vitin 1922. Përfundoi duke akuzuar qeverinë se nuk ka taktika të drejta për të luftuar kaçakët dhe ndjekjet e tyre zakonisht përfundojnë me ushtrim të dhunës kundër popullatës jo-të krishterë.
Aqif Blyta dhe Ferhad Draga janë shënuar si persona për të cilët duhet ushtruar presion policor. Blyta u arrestua katër herë midis 27 dhjetorit 1924 dhe 6 shkurtit 1925. F. Draga u arrestua gjithashtu disa herë. Zgjedhjet në Novi Pazar dhe rrethinat e saj kanë kaluar shumë dhunë kundër myslimanëve dhe një numër parregullsish. Për shkak se rezultatet e publikuara të Xhemijetit për qarkun e Dezhevës dhe Shtavicës nuk mund të merren si të vërteta për shkak të presionit nga autoritetet ekzekutive, nuk dihet se sa vota Blyta fitoi këtë herë.
Me ndërprerjen e ekzistencës së Xhemijetit , u ndërpre karriera politike e Aqif Blytës për shumë vite, sepse aktiviteti i mëtejshëm publik kishte me shkaktuar presion të ri ndaj autoriteteve ekzekutive. Megjithatë, Blyta mbeti politikani më me ndikim në Novi Pazar dhe rrethinat e tij. Për shumë, Blyta ishte një mik i respektuar, tregtar dhe politikan në zë, por gjithashtu një simbol i rezistencës ndaj Beogradit dhe një shteti që myslimanët e rajonit kurrë nuk e pranuan plotësisht. Ndikimi i tij nga Novi Pazari u përhap në rajonet përreth, veçanërisht në rajonin e Shtavicës. Nga ana tjetër, Blyta kuptoi avantazhet e pozicionit të tij. Ai mblodhi ish-anëtarët e Xhemijetit nga zonat e Dezhevës dhe Shtavicës dhe mbajti kontakte me ta. Duke i “drejtuar” votat myslimanëve, kishin një ndikim të madh në zgjedhjen e liderëve politikë serbë nga rrethi Dezhevës dhe Shtavicës. Ndikimi i tij u ndje në të gjitha zgjedhjet në këtë rajon deri në vitin 1941. Nga ana tjetër, ai mori mbështetje politike nga politikanët serbë dhe autoritetet lokale për të zgjeruar më tej popullaritetin e tij politik.