Mumin Morina drejtor teknik në KRU “Hidromorava”, i ka thënë Portalit të Lajmeve Lokale “2lonline”, se këto reduktime janë të përkohshme, deri në përmirësimin e kushteve më të favorshme klimatike kur pritet edhe stabilizimi i furnizimit me ujë pa reduktime.
Morina tha se rritja enorme e konsumit, e harxhimit të ujit të pijes, temperaturat e larta, keqpërdorimi i ujit, kanë bërë që në disa pika të larta të qytetit të ketë mungesë të ujit të pijes për ditë me radhë si në lagjen “Arbëria”, “Dheu i Bardhë” e “Kodra e Dëshmorëve”.
Ai tha se për këtë qëllim po aplikohen reduktime në pjesë të tjera që të mund të furnizohen pastaj edhe këto pika ku ka mungesë të ujit të pijes.
“Reduktimet po bëhen kryesisht në zonat rurale dhe në periferi të qytetit për shkak se mendohet se kanë burime alternative (puse) të furnizimit me ujë, por nëse këto reduktime nuk do të japin efektin e tyre atëherë reduktime mund të shtrihen edhe në pjesë tjera të qytetit”, ka thënë Morina.
Ai tha se reduktimet në javën e parë kanë has në pengesa të mëdha të cilat vijnë nga personat e papërgjegjshëm që manipulojnë me ventilet e ujësjellësit dhe pamundësojnë që reduktimet ta japin ef efektin e tyre.
Mirëpo, Morina tha se për këtë janë njoftuar edhe organet e rendit dhe inspeksioni dhe se personat e tillë që zihen duke bërë një veprim të tillë do të përballen me drejtësinë.
Përndryshe, sipas drejtorit teknik të “Hidromoravës” reduktime për momentin ka në fshatrat Përlepnicë, Shillovë, Velekincë pastaj në lagjen “Zabeli i Sahit Agës” dhe ato praktikohen kryesisht në orët e mbrëmjes.
Mumin Morina, apelon tek të gjithë qytetarët që ta kursejnë ujin e pijes, të mos e keqpërdorin, të lajmërojnë keqpërdoruesit, ti respektojnë reduktimet dhe të bashkëpunojnë me “Hidromoravën”, që kjo gjendje të tejkalohet dhe ti rikthehemi furnizimit normal të konsumatorit me ujë të pijes. /2lonline/