Anëtarët e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes kanë realizuar sot një takim me drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, (NALT), gjeneral brigade Jörg Rüter.
Në fillim të takimit, kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, pasi njoftoi atë lidhur me fushëveprimin e Komisionit, theksoi se ky takim është shume i rëndësishëm për t’u njoftuar me punën e NALT-it, pasi zhvillimi i kapaciteteve të FSK-së dhe bashkëpunimi me NATO-n, është prioritet i institucioneve të Kosovës, por edhe i Kuvendit dhe Komisionit.
Në vijim, gjeneral Rüter, paraqiti një prezantim gjithëpërfshirës për punën e NALT, rolin dhe impaktin e kësaj zyre në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe sektorit të sigurisë, brenda mandatit të NALT-it. Në prezantimin e tij, të pasqyruar me fakte dhe shifra, anëtarët e komisionit u njoftuan me planifikimet rreth kapaciteteve të FSK-së, personelin, kuotën gjinore dhe atë të komuniteteve, procesin integrues etj.
Pas prezantimit, fjalën e morën anëtarët e komisionit për pyetje dhe komente rreth të dhënave te prezantuara dhe çështjet tjera të ndërlidhura me prezantimin. /2LONLINE.com/