(2LONLINE) – Duke u nisur nga procesi zgjedhor në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), problemet e vazhdueshme brenda kryesisë së degës në Gjilan deri te humbja e zgjedhjeve komunale, pastaj mos guximit të kryesisë për të bërë një analizë të rezultatit zgjedhor, do të duhej të jepte llogari e tërë kryesia me dorëheqjen e tyre, për humbjen e zgjedhjeve lokale, e nuk mjaftoI vetëm dorëheqja e kryetarit të degës dhe e nënkryetarit të saj.
Shkruan: Fatlum ZENELI
Kjo kryesi e degës së PDK-së e ka sjellë gjendjen përditë e më keq në strukturat dhe anëtarësinë e saj në Gjilan. Niveli i përgjegjësisë në këtë kryesi që nga fillimi i mandatit të saj ka qenë e mjerueshme dhe kështu në degën e Gjilanit kanë ndodhë lëvizje të pingpongut politik, imponime të kryetarit të degës, pastaj tërheqjen e tij, imponimin e tjetrit, tërheqjen e tij, së fundi vendosjen e koordinatorit të degës, nga niveli i papërgjegjësisë së kësaj dege për të zgjedhur një kryetar dege që do ndryshojë kahjen negative të kësaj dege.
Caktimi i kandidatëve për deputet nga kryesia e degës së PDK-së në Gjilan, tregon mjerimin e vërtet të kësaj kryesie. Të vazhdosh ende me qasjen e njëjtë sikurse në zgjedhjet lokale, e tregon qysh tani rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Me votimin e kësaj kryesie për kandidatët për deputet, është votuar kundër disponimit të qytetarëve të Gjilanit, kundër përfaqësimit të denjë të interesit të tyre në Kuvendin e Kosovës në mandatin e ardhshëm katër vjeçar, kundër anëtarësisë së PDK-së dhe strukturës së gjerë të saj, është votuar kundër fitores së PDK-së në Gjilan, është votuar edhe kundër vet mendimit të kryetarit të PDK-së Hashim Thaçit.
Kryesia e mjerë e kësaj dege, të votojë me më së shumti vota kandidatë të cilët as familjet e tyre të ngushta nuk e kanë mbështetur PDK-në por një subjekt tjetër politik, kandidate të cilët as vet nuk e kanë votuar në zgjedhjet e kaluara kandidatin e PDK-së për kryetar të Gjilanit, kjo është një absurditet i llojit të vet.
Po ashtu koordinatorit i degës shpejt i hyri vetja në qejf për të kandiduar për deputet, duke e harruar rolin e tij të cilin e mori pak ditë më herët. Të cilin rol tani nuk mund ta luaj, sepse qëllimi i tij tanimë nuk mund të jetë interesi i degës por interesi i tij personal për të fituar kandidatura e tij për deputet, kjo është për “No comment”.
Që nga fillimi ky koordinator bëri ç’kordinimin e Rinisë Demokratike në degën e PDK-së në Gjilan, sepse imponoi në krye të rinisë në degë, menjëherë kushëririn e tij, ish-kryetarin e Rinisë (tani me moshe mbi 30 vjeç), gjë që irritoi shumicën absolute të strukturës së Rinisë Demokratike, pra ky na qenka “Hollbruku i Gjilanit”.
Nuk është vetëm ky rast që është në garë dhe nuk ka arritur të marrë votat as për ulësen e Këshilltarit Komunal, dhe gjithsesi gjendet lartë në “ Listën e Kryesisë së Degës “. Në këtë listë klanore gjenden disa nga kandidatët e garës së fundit Komunale të cilët nuk i preferoi qytetari i Gjilanit, kjo për të qene edhe më e qartë se niveli demokratik i kësaj kryesie është zero. Por prapë dihet mire që kryetari i partisë nuk do ti lejojë këto lojëra të ulëta të kësaj kryesie, nuk do të fus kandidate për deputet në listën e PDK-së emra të dështuar të Gjilanit, sidomos atyre që para pak ditëve në Gjilan, në takim të kryesisë së degës ia tregoi se ku e kanë ata vendin, që as familjet e tyre nuk i kanë mbrapa në parti.
Pra kështu kjo kryesi e mjerë, vazhdoi me të vjetrën duke i votuar prapë me më së shumti vota po për ata kandidatë për të cilët foli i pari i PDK-së në Kosovë, pra votuan kundër mendimit të Hashim Thaçit, votuan kundër mendimit të votuesve, strukturave dhe anëtarëve të PDK-së në Gjilan.
Po të ishte momenti, sigurisht që nga shumica e strukturave të degës së PDK-së nuk do të mungonte kërkesa për dorëheqjen e kësaj kryesie të mjerë dhe nuk do të mungonte një mbështetje serioze nga ana e Kryetarit të Partisë për ta trajtuar dhe shëruar mirë këtë degë të PDK-së, e cila ka vite të tëra që po lëngon shumë nga një sëmundje e rrallë.
Jemi ku jemi, por jemi të sigurt që kryetari i PDK-së do të kandidojë më të mirët nga Gjilani për në listën garuese për deputet dhe do ti tregojë kësaj kryesi të mjerë që kërkah nuk janë sikurse që nuk kanë qenë që nga fillimi.
(autori është aktivist i RDK-së Dega Gjilan dhe Kryetar i Nëndegës të RDK-së në Malishevë të Gjilanit)