Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, priti në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier me ç’rast e uroi për fillimin e misionit të tij në Kosovë dhe konfirmoi miqësinë e palëkundur mes dy shteteve.
Z. Hovenier theksoi bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm mes dy vendeve dhe shtoi se emërimi i Dr. Latifi si Ministër i Shëndetësisë ka forcuar besimin e të gjithëve se Qeveria e Republikës së Kosovës po i kushton vëmendje të fuqishme këtij sektori shumë të rëndësishëm.
Ambasadori Hovenier nënvizoi mbështetjen e SHBA-së në fushatën e vaksinimit kundër Covid-19 dhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore edhe përmes bashkëpunimit me organizatat e tjera ndërkombëtare.
Ministri Latifi e informoi Ambasadorin rreth situatës me COVID-19 dhe theksoi se vendi ynë posedon tani sasi të mjaftueshme të vaksinave për të gjithë qytetarët, kurse sistemi shëndetësor është përgatitur për reagim adekuat në rast të rritjes së mëtutjeshme të numrit të të infektuarve dhe spitalizimeve nga COVID-19.
Tutje, Ministri Latifi tregoi edhe për planin konkret të Ministrisë së Shëndetësisë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore tek të gjitha komunitetet në Kosovë edhe përmes aplikimit të Telemjekësisë.
Ambasadori Hovenier ritheksoi se ShBA edhe në të ardhmen do t’i ofrojnë mbështetje Kosovës për arritjen e qëllimeve të saja drejt përmirësimit të kujdesit shëndetësor. /2LONLINE/