Kosova do ta luaj një ndeshje shumë të rëndësishme në udhëtim te Çekia, e cila ndeshje mund ta vlej po aq sa kualifikimi në Kampionatin Evropian. Por, Dardanët janë të motivuar për të fituar dhe për të bërë realitet ëndrrën e kualifikimit në Euro 2020.
Mbrojtësi Fidan Aliti ka thënë se populli dhe shteti i Kosovës e meriton të shkojë në Evropian.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe këtë e dimë edhe ne. Këtë e shohim si finale. Besoj tek ekipi dhe nëse luajmë futboll si gjithmonë, do të dalim fitues. Ne e dimë çfarë kualitete ka Çekia dhe këtë e pamë kur luajtëm këtu në Prishtinë. Nuk diskutohet që ata kanë lojtarë me shumë kualitet dhe eksperiencë, por nëse luajmë si grup kam besim se do të marrim një rezultat pozitiv në Çeki”, ka thene Aliti.
Në pyetjen e gazetarëve se në taborin çek ka pasur deklarata se e meritojnë kualifikimin para Kosovës, Aliti është shprehur:
“Çdo lojtar thotë për veti se e meriton kualifikimin, si unë që them për Kosovën ashtu edhe kundërshtarët për kombëtaren e vete. Jo vetëm ne si lojtar dhe Kosova si ekip, por ky popull dhe ky shtet e meriton të shkojë në Evropian”, ka përfunduar mbrojtësi i Kosovës.