UNË TË DUA
O qenie e brishtë
Prej njeriu
Që aq ëmbël di t’u hidhërohesh
Gjërave të vogla, të imta të jetës
Kur bijnë mbi ëndrrat tua
Si guralecë rrëshqitës
Shkëmbinjve të lartë
Të cilët nuk kapen dot
Nga shikimi yt
Dhe shpeshherë i trembur
Godet në vend të përqafimit
Kafshon në vend të puthjes
E ik, ik diku larg vetes
Strukur në një fytyrë tjetër
Me ehun e piskamës
Më të lashtë se sanskrishtja
Që të tradhëton nga pas
Unë ,,,gjithsesi, të dua!
PA TITULL
Ishte një çast, ai
Kur deshta
Të tërhiqem në vete
Si një eklips i papritur
Në zenitin e frymëzimit mbarsë.
U mblodha
Copë-copë nga ti
Dhe lashë pas
Ofshamat gojëhapura
Si tetovazhe
Të klithmave pa zë.
Ktheva në gjymtyrë
Përkëdheljet rrugë-rrugë,
Prej atje ku takoheshin
Horizontet tona
Diku mes qafës dhe gjoksit,
Aty ku, dikur, mbinin
Fusha lulëkuqesh
Në vend të fjalëve.
Shikimet mora
Nga mesballi yt
Dhe i ktheva në sy,
Të thellë, të errët,
Si gropë malli
Që di të krijojë
Mungesa në prani.
Puthjet, ato më të dashurat
Nga nënvetulla yte,
I shkëputa dhe i ktheva
Në buzë
Me shijen e musht
Të një poezie të re.
Ishte një çast, ai
Kur ktheva të gjitha në vete
E nuk dita
Ç’të bëj
Me veten e tepruar.
( Nëntor 2020 )
SA HERË NA MARRIN PËR TË RRITUR
Thonë, u rritët bashkë!
E, vetëm ne dimë
Sekretin e të mbeturit fëmijë
Zigzageve të dikundit
Me gërshetimin e rrëzimngritjeve
Në tërkuzë lisharësi,
Ku prehemi së dëgjuari
Të qeshurën e njëtrajtshme
Të Zotit,
Si ritëm kapilarësh
Rrugëve të vetvetes.
Vazhdimisht thonë, u rritët bashkë!
E, vetëm ne dimë
Për puthjet që mbollëm
Ugareve të ballit,
Filiza të rinj në kohë ethesh.
Një ditë, mund t’iu kthehemi
Me buzëqeshje të ndriçuara
E shikime të ngrohta,
Një ditë, për të mos humbur
Rrugën e kthimit në fëmijë
Sa herë na marrin për të rritur.
(nëntor 2020)
SINTONI
Është një pemë
Andej dritares, përballë.
Sa ka nisë
Të vjeshtojë gjethnajë e saj
Me kuqëlimin e ndritshëm
Si çdo epilog i begatë,
E thotë se më ngjan.
Mbase edhe i ati i saj,
Ai trung i lartë
I shpërbërë mistershëm
Në pëshpërimë mali,
I ka mësuar
Si të vallëzojë me erën
Në vend të dyluftimit,
Si të këndojë me shiun
Në vend të vajtimit,
Si të flasë me diellin, hënën, qiellin
Dhe veten kur të tërheq veshin
Udhëkryqeve.
Mbase e ëma,
Ajo urti e regjur stinësh,
I tregoi se, pikërisht aty
Në truallin ku mbiu
Nis mbëltimi i ri,
Pikërisht aty, bëhet
Më bukur dashuri.
E mësoi të flasë
Me fluturat, barin, vesën
Dhe zakonin që i bie ngushtë
Si fustan i padobishëm
I qepur herët.
•••
Është një grua
Andej kopshtit, përballë.
Sa ka nisë
Të vjeshtojë floknajë e saj
E, betohet se më ngjan.