Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve me inicialet S.S., G.K., S.F., A.P., L.P., F.H., F.S., J.Gj., F.K., D.A., B.S., T.P dhe Rr.M.
Prokuroria Speciale njofton se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, vazhdimisht, nga koha e pavërtetuar e deri në mars 2021, në bashkëkryerje kanë organizuar lojëra të fatit – bastore online edhe pse me nenin 1 të Ligjit nr. 06/L-155 për ndalimin e lojërave të fatit në territorin e Republikës së Kosovës, nga muaji prill 2019, janë ndaluar të gjitha lojërat e fatit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim’’ nga neni 294 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK.
Të pandehurit G.K, S.F, duke e ditur se pasuria e tyre buron nga aktivitetet kriminale të përshkruara në diapozitivin nën 1 dhe është e fituar me kryerjen e veprave penale, me qëllim të fshehjes së këtyre aktiviteteve dhe burimit të vërtet të pasurisë, parat e tilla i kanë futur në sistemin bankarë përmes deponimeve të të hollave të gatshme, pastaj e kanë kryer shtresimin – fshehjen e origjinës se tyre përmes transfereve bankare, me qëllim që në fund t`i integroj duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.
Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale ‘’Shpëlarja e parave’’ nga neni 302 të KPRK lidhur me nenin 56 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1. të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Ndërkaq, të pandehurit F.S., S.F dhe F.D., në lokalet e bastores online, në kundërshtim me Ligjin për armë nr. 05/L- 022, secili veç e veç, kanë mbajtur në pronësi dhe posedim armë, të cilat janë gjetur dhe konfiskuar me rastin e kontrollit nga ana e policisë.
Me këto veprime të pandehurit e lartcekur, secili veç e veç, e kanë kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 lidhur me nenin 113. /2LONLINE/