Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit J.D., për shkak të veprës penale ‘’keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeçare’’.
Sipas aktakuzës, në muajin mars të vitit 2018, i pandehuri J.D. (1977), nga komuna e Kamenicës, e ka marrë të dëmtuarën e mitur K.S. të moshës trembëdhjetë vjeçare, me automjetin e tij kombi dhe e ka dërguar në Prizren, ku edhe e kalojnë natën në automjet dhe për qëllime seksuale, e keqpërdor seksualisht të njëjtën.
Vlen të theksohet se, i pandehuri e ka marrë me vete në Prizren, tri herë të dëmtuarën e mitur, së bashku me dy vajzat e tij të mitura.
Në këtë mënyrë, i pandehuri ka kryer veprën penale ‘’keqpërdorimi seksual i personave nën moshën (16) gjashtëmbëdhjetë vjeçare’’, e paraparë në nenin 235 paragrafi 2 nën paragrafi 2.3 lidhur me nenin 232 paragrafi 3 nën paragrafi 3.7 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në fund, Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që të pandehurin të e shpallë fajtor, për veprën e kryer penale dhe ndaj të njëjtit të shqiptoj dënimin e merituar sipas ligjit.