Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me inicialet S.M. ish nënkryetar i Komunës së Kllokotit, për shkak se u vërtetua dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’ e sanksionuar me nenin 210 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale njofton se hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri S.M. në bashkëkryerje me të dënuarin B.D. dhe persona të tjerë, ka kanosur seriozisht qytetarët e nacionalitetit serb të Komunës së Kllokotit, me qëllim të ndikimit në vullnetin e tyre zgjedhor, gjatë periudhës kohore të zgjedhjeve të Përgjithshme të Parakohshme Parlamentare të mbajtura me datë 14 shkurt 2021, duke u kërkuar që të votojnë për subjektet e caktuar politike, me kërcënimin se do ti largonin nga puna, ashtu që i dënuari B.D. në cilësinë e Kryetarit të Komunës, ka siguruar vota në mënyrë të kundërligjshme për subjektin politik ‘’Lista Serbe’’, kurse i pandehuri S.M. në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, ka siguruar vota për subjektin politik me numër 129 ‘’ Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq’’.
Çështja ka kaluar në kompetencë të gjykatës për procedurë të mëtutjeshme, kurse gjatë kësaj faze të procedurës i pandehuri mbrohet në liri, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale. /2LONLINE/