Në Konferencën Vjetore Shkencore Ndërkombëtare “Shkenca dhe Teknologjia në Promovimin e Vlerave Humane”, organizuar nga Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, është dhënë Çmimi i Konferencës Vjetore të UKZ 2023 “Marin Barleti”.
Pas propozimit të Këshillit Organizativ të Konferencës dhe me vendim të Rektorit të UKZ-së, Prof. Dr. Bajram Kosumi, Çmimi i Konferencës Vjetore të UKZ “Marin Barleti” i është dhënë Akademik Fejzullah Krasniqi nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Ky çmim i dedikohet arritjeve të personaliteteve të njohura nga bota e shkencës për arritje të jashtëzakonshme në hulumtime shkencore.-akademike në arsimin e lartë, kontributeve thelbësore kërkimore, çështjeve të reja, ideve, bashkëpunimit dhe perspektivave të tjera. Konsiderata shtesë përfshijnë rolet e lidershipit, si dhe marrëdhëniet aktuale apo potenciale ndërmjet kërkimit të bërë dhe përmirësimit të arsimit të lartë në përgjithësi, nëpërmjet lidhjeve ndërmjet studiuesve dhe IAL-ve në vende të ndryshme me Universitetin Publik “Kadri Zeka”. /2LONLINE/