Ish-ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka thënë të hënën se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës para se të shkojnë në pushime verore duhet t’i votojnë marrëveshjet për qasje në programet e IPA-s.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka vlerësuar se marrëveshjet e Kosovës për qasje në programet e Bashkimit Evropian si dhe fondet e IPA-s janë dy çështje të rëndësisë vitale për shtetin e Kosovës.
Ahmetaj u ka bërë thirrje institucioneve ta shtojnë angazhimin për t’i përfunduar reformat e domosdoshme në mënyrë që shteti i Kosovës të avancojë në procesin e integrimit evropian.
Sipas saj, ky proces duhet të mbetet prioritet i institucioneve vendore dhe, si i tillë, kërkon konsensus politik.
“Procesi i integrimit evropian duhet të mbetet prioritet për institucionet e Republikës së Kosovës, prandaj në vazhdimësi duhet të shtohet puna drejt përmbushjes së këtyre kritereve apo bërjes së reformave të domosdoshme, në mënyrë që shteti ynë të avancojë në këtë agjendë/ proces. Integrimi evropian është proces që i takon edhe pozitës edhe opozitës, prandaj për këtë proces është shumë me rëndësi të ketë konsensus politik”, është shprehur Ahmetaj.
Për më tepër, shih – BURIMI: Epoka e re