Arsimimi në Shqipëri gjatë kohës së qeverisjes së Monarkisë Austro-Hungareze njohu një zhvillim pozitiv. Investimet mjaft të mëdha të qeverisë së habsburgëve gjatë Luftës së Parë Botërore, në administrimin e tyre në Shqipëri, për Shqipërinë, ishin bërë në infrastrukturë, shpeshherë nga buxheti i tyre që kishin për ushtrinë, madje edhe fshehurazi Hungarisë.
Shkruan: Sami ARIFI
Pas shumë bisedave, Italia vendosi të bashkohej me Fuqitë e Antantës, me të cilën nënshkroi në Londër, më 26 prill 1915, një Traktat të Fshehtë. Sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës, Italia do të akeksonte Vlorën dhe krahinën e saj, Ishullin e Sazanit, nga lumi Vjosë në veri, në afërsi të Tepelenës e deri në Himarë në jug.
Menjëherë pas nënshkrimit të Traktatit të Londrës ishte Serbia dhe Mali i Zi që kaluan kufirin dhe u futën në Shqipëri në qershor të vitit 1915, përkatësisht nga lindja dhe veriu. Malazezët zunë Shkodrën dhe u pa qartë se qëllimi i tyre ishte që të arrinin deri në Drin, serbët nga ana tjetër e tyre, vërshuan në Shqipërinë e Mesme me pretekstin se s’mund të lejonin që prapa krahëve të tyre të zhvillohej e të përhapej një lëvizje kryengritëse që “kishte vulën e Austro-Hungarisë dhe të Turqisë”, pra, kundërshtarët e tyre të luftës.
Forcat serbe përparuan me shpejtësi, nga se ishin superiore në pajisje dhe në numër, zunë qendrat kryesore të Shqipërisë së Mesme dhe u ndalën përpara Durrësit ku shpëtuan Esad Pashë Toptanin nga rrethimi i forcave kryengritëse. Në bashkëpunim me ushtrinë serbe, Esad Pashë Toptani në rrethinën e Tiranës, në zonën e çifliqeve të tij, bëri një fushatë terrori kundër fshatarësisë, madje dhjetëra prej tyre u varën ose u pushkatuan pa gjyq. Kjo i dha shkas i kundërpërgjigjes së Austro-Hungarisë vetëm disa muaj më vonë; pikërisht këtu do të krijohej fronti i parë i luftës në territorin shqiptar, këtu u implikuan edhe dy shtete- Italia dhe Greqia, të cilat nuk hynë menjëherë në luftë.
Shqipëria e veriut me Shkodrën do t’i kalonte Malit të Zi, Shqipëria Verilindore me Kukësin dhe Peshkopinë Serbisë, Shqipëria Jugore me Gjirokastrën dhe Korçën grekëve, kurse Vlora me krahinën e saj italianëve; midis lumit të Matit dhe Vjosës duhej të krijohej një principatë myslimane, zonë të cilën në Konferencën e Ambasadorëve e kishin njohur si Shqipëri madje edhe rusët dhe shtetet ballkanike. Të gjithë pjesëmarrësit e kishin zhvatur tashmë pjesën e tyre dhe vetëm Mali i Zi kishte mbetur deri atëherë duarthatë.
Ndaj sundimtari i malazezëve vendosi të përlajë edhe ai copën e vet të dëshiruar-Shkodrën, dhe më 27 qershor 1915 e pushtoi qytetin me rrethina. Përndjekjet dhe vrasjet u bënë përsëri të ditës. Çerciz Topulli, një atdhetar dhe komandant çete i njohur (1905-1908), u vra, flamuri shqiptar u baltos. Ishte arritur pika më e thellë e rënies. Asnjë mik apo armik i Shqipërisë nuk besonte më në ringjalljen e shtetit të lirë shqiptar.
Austro-Hungaria ishte ajo që, trupat ushtarake serbe i largoi me forcë nga trojet shqiptare, gjatë Luftës së Parë Botërore.
Për qeverisjen e krahinave shqiptare të pushtuara nga trupat austro-hungareze, autoritetet ushtarake të Shkodrës kishin ngritur një Këshill administrativ nën kryesinë e zëvendëskonsullit, August Kral, i cili mori në dorë çështjet e brendshme të vendit dhe i drejtoi ato në mënyrë shembullore. Burra si Luigj Gurakuqi (drejtor i arsimit) dhe Fejzi bej Alizoti (drejtor i financave) arriten rezultate shumë të mira në dikasteret e tyre. Falë këtij administrimi të përbashkët austro-shqiptar, pati mundësi të ndërtonte një gjuhë të mësuar zyrtare, të hap shkollat e para fillore dhe të krijonte elementet e para të kategorisë së nëpunësve shtetërorë.
Pra, arsimimi në Shqipëri gjatë kohës së qeverisjes së Monarkisë Austro-Hungareze njohu një zhvillim pozitiv. “Në kuadër të administratës shtetërore qendrore u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit me Luigj Gurakuqin që kishte atributin e ministrit të arsimit dhe ishte nën varësinë e Injaz Trollman. Kishte tre nëndrejtori, ajo e Shkodrës e Tiranës dhe e Beratit. Në rregulloren për arsimin, të miratuar në 20. 09. 1916, e cila u quajt “Rregullorja e shkollave”, u bë i detyrueshëm arsimi fillor nga 7 deri në 12 vjeç, për pesë vjet në qytet, sipas modelit austriak edhe tre vjet në fshat.
Në vitin e parë të administratës ushtarake austro-hungareze, u hapën 231 shkolla në gjuhën shqipe. U vendos gjuha shqipe edhe në territore shqiptare të Kosovës deri në Mitrovicë. Buxheti për vitin arsimor 1916-1917, ishte i lartë dhe kishte tendenca rritjeje. Kështu në një raport të Këshillit të Ministrave thuhej se “aksioni shkollor e ngarkonte buxhetin me një shumë të konsiderueshme prej 148.000 koronave dhe duhet të shtohej, sepse buxheti shqiptar ka tendencë rritëse.”
Investimet mjaft të mëdha të qeverisë së habsburgëve gjatë Luftës së Parë Botërore, në administrimin e tyre në Shqipëri, për Shqipërinë, ishin bërë në infrastrukturë, shpeshherë nga buxheti i tyre që kishin për ushtrinë, madje edhe fshehurazi Hungarisë.
Investimet në Shqipëri brenda vitit të parë kishin arritur shifrën në 62 milion koruna. Kjo vërehet në një notë të kryeministrit hungarez, dërguar ministrit të Luftës dhe Financave, më 16 nëntor 1917.
“Në këtë notë kryeministri hungarez, i kërkon llogari Ministrit të Financave, për shumën e madhe të investuar në Shqipëri. Në të thuhej se, janë bërë investime në kurriz të mobilizimit, që arrinë shumën 62 milion korona. Ai i kërkonte llogari Ministrit të Financave se, me iniciativën e kujt, u bënë ato investime të mëdha në Shqipërinë e pushtuar, që përmendet në notën e kryekomandës së ushtrisë nr. 124087. Sipas tij, unë nuk e mendoj se
përkrahja ekonomike e Shqipërisë është një nevojë e tillë lufte e paevitueshme dhe se të hollat e mobilizimit të mos përdoren për administratën shqiptare, as direkt e as indirekt, në mënyrë që në kurriz të kostos së shpenzimeve ushtarake të merren përsipër investime”.
Raportimet nga komanda ushtarake e Austrisë për investimet e bëra në Shqipëri të detajuara flasin se janë ndërtuar rrugët, rruga Hani i Hotit-Shkodër 40 km e gjatë, rruga Lumë-Milot, rruga Shkodër-Lezhë 29 km, rruga Lezhë-Vlorë, rruga Durës-Vlorë-Tiranë 38 km, që ka ekzistuar edhe më parë, por që u riparua rruga Tiranë-Elbasan, Rrogozhinë-Peqinë, hekurudha Shëngjinë-Lezhë-Shkodër, hekurudha me kuaj Ferizaj-Prizren-Morinë, hekurudha me kuaj Han i Elezit-Kaçanik. Teleferiku Lezhë-Vlorë, hekurudha me motor Vlorë-Durrës, Rrogozhinë-Lushnjë. Pastaj teleferiku Mullet-Qafë, Krrabë-Shëngjinës, si dhe punimet në portin e Shëngjinit.
Pra, të gjitha komunikacionet së bashku shkojnë deri në 739 km. Këto punime sipas raportit u bënë gjatë luftës dhe në kushte nga më të vështirat. Ushtarët austriak punuan në vjeshtë e që u shkaktoi shumë viktima.
Sipas këtij raporti, rrugët e reja, hekurudhat dhe urat shkojnë edhe në përfitim të popullatës dhe formojnë për vendin një përfitim shumë të qëndrueshëm. Fuqia qytetëruese dhe vitaliteti i Monarkisë në Shqipëri, në krahasim me regjimin e mëparshëm turk e me anarkinë gjatë periudhës ndërkombëtare, del me forcë para syve dhe do të sjellë fryte të mira jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht.