Siç dihet Administrata komunale në Gjilan, kishte punuar me orar të zgjatur të punës, që ishte aplikuar gjatë dy muajve të kaluar, për shkak të bashkatdhetarëve, të cilët gjatë kësaj kohe ndodheshin në pushime dhe kishin nevojë për të kryer shërbime të ndryshme administrative.
Arben Dubova, drejtor në Drejtorinë Komunale të Administratës ka thënë se shërbyesit civilë iu kanë përmbajtur me përpikëri këtij orari, derisa qytetarët janë ndarë të kënaqur me shërbimet e administratës komunale, të cilat ata kanë mundur t`i marrin në afate të arsyeshme kohore, duke e reduktuar në minimum kohën e pritjes.
“Tani e tutje, administrata komunale i është kthyer javës pesë ditore të punës, prej orës 8:00-16:00, përkatësisht punës me palë prej orës 8:30-15:30, prandaj edhe qytetarët, të cilët kanë nevojë për të kryer ndonjë shërbim administrativ, duhet t`i përmbahen këtij orari”, ka thënë Dubova.
Ndryshe, Administrata komunale e Gjilanit pritet që edhe viteve tjera ta vazhdojë këtë praktikë të zgjatjes së orarit të punës në muajt kur ka shtim të punës si rezultat i ardhjes së bashkatdhetarëve.
Dubova tha se qëllim parësor i këtij veprimi është që administrata të jetë një shërbyese sa e mirë e qytetarëve të komunës së Gjilanit. /2lonline/