(2L ONLINE) – Administrata e Gjilanit po ballafaqohet me vështirësi në ofrimin e shërbimeve për qytetarë për shkak të kërkesave të mëdha të kërkesave të tyre për ekstrakte dhe certifikata të lindjes në njërën anë dhe mungesë të ekstrakteve në anën tjetër.
Drejtori i Administratës së Përgjithshme në Gjilan, Nazim Gagica i ka thënë Portalit Informativ 2L ONLINE, se përkundër kërkesave të vazhdueshme, ka gati një javë që Agjencioni për Regjistrim Civil që është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është treguar e shurdhër dhe i ka lënë pa ekstrakte, ndërsa pikërisht një konkurs i kësaj Ministrie, drejtorisë përkatëse, për policë, ka shtuar dukshëm numrin e qytetarëve që e kërkojnë ekstraktin dhe certifikatën e lindjes.
Mësohet se sot do të vijnë për Administratën e Gjilanit një numër prej 1 mijë ekstrakteve dhe 100 certifikatave por se nëse vazhdon ky fluks, ato do të shërbejnë vetëm për pak ditë.
Drejtori Gagica ka thënë se duke u përpjekur për t’i ofruar shërbime qytetarëve, kanë gjetur alternativa duke marrë ekstrakte nga fshatrat, pastaj nga komunat fqinje kur kërkesat kanë qenë më të vogla, si nga Vitia, Kamenica, Ropotova e Kllokoti, vetëm e vetëm t’u ofrojnë dokumentin e kërkuar qytetarëve.
Numrin e kërkesa e ka rritur konkursi për polici i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, që përveç tollovive në Administratë ka krijuar tollovi edhe në Gjykata dhe në Polici. Por, drejtori Gagica ka vërejtje edhe kur është në pyetje ky konkurs, sepse aplikantëve po u kërkohet edhe certifikata e lindjes, ndonëse ekstrakti përfshinë këtë, e qytetarë për të qenë të sigurt në aplikim, po i kërkojnë tani që të dy dokumentet.
Gagica tha se pas kërkesave të vazhdueshme dhe presionit të bërë më në fund pritet që sot të u vijnë 1 mijë ekstrakte dhe 100 certifikata por se referuar fluksit të të interesuarve, këto do të dalin vetëm për pak ditë.
Ai ka kërkuar nga institucioni përkatës që sa më parë ta furnizojë me ekstrakte që të përmbushet nevoja e Administratës së Gjilanit. /2L ONLINE/