Presidenti i FFK-së, Agim Ademi i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të tij kroat, Davor Shuker, për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të famshëm kroat, Zlatko Kranjçar. Në mesazhin e tij, Ademi ka shkruar se Kranjçar ishte futbollist i klasit botëror dhe idhull për shumë breza, jo vetëm në Kroaci por edhe më gjerë.
Telegrami i plotë i presidentit Ademi
I dashur President,
Miku im Davor,
Me pikëllim të thellë e mora lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kroat, Zlatko (Cico) Kranjçar. Ai ishte një ish-futbollist i klasit botëror dhe idhull për shumë breza.
Zlatko ishte frymëzim për gjeneratat e reja jo vetëm në Kroaci, por edhe më gjerë e veçmas në rajonin tonë.
Ai dhuroi shumë momente emocioni e gëzimi për tifozët e futbollit kroat, e sidomos për ata të klubit të tij të zemrës, Dinamos, të cilët në vitet e 80-ta ishin në numër të madh edhe në Kosovë.
Sot, futbolli humbi një tjetër emër të madh dhe Zlatko pa dyshim e meriton një vend të veçantë jo vetëm në historikun e futbollit kroat, por edhe atij botëror për të arriturat e tij qoftë si futbollist apo edhe si trajner.
Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe tërë komunitetit të futbollit në Kosovës më lejoni t’u shprehë ngushëllimet e mia më të sinqerta për Ju, Familjen Kranjçar dhe tërë komunitetin e futbollit kroat.
I paharruar qoftë kujtimi për Zlatkon!
Me respekt,
Agim Ademi
President i FFK-së