Riza Abdyli, shef i grupit të anëtarëve të kuvendit nga radhët e PDK-së, në seancën e sotme ka kërkuar nga kryetari i komunës, Lutfi Haziri, që ta shfrytëzojë autoritetin e tij, në lidhje me projektin e rrugës së Ferizajt, i cili është projekt i financuar nga Ministria e Infrastrukturës.
Këtë e kërkon, siç thotë ai, duke pasur parasysh numrin e madh të bashkatdhetarëve tanë që vijnë për t’i kaluar pushimet në vendlindje për çka edhe shtohet qarkullimi në komunikacion, andaj edhe duhet që me marrëveshje, të shqyrtohet mundësia e pezullimit të përkohshëm të punimeve të këtij projekti në atë pjesë.
“Duke qenë se muaji korrik dhe gusht, edhe në situatë normale e bën qytetin tonë dyfish më të ngarkuar, punimet në rrugë në këtë periudhë e rëndojnë edhe më shumë gjendjen në trafik. Për këtë gjë ka pasur ankesa të përsëritura të mërgimtarëve, të cilëve në vend se t’u krijohen lehtësira, me punime që përherë rastisin të kryhen kur ata janë në pushim, ua vështirëson atyre qëndrimin këtu, shto edhe vizitat e shumëta që i kanë nëpër familje”, ka thënë ai.
Abdyli i PDK-së ka thënë se për këtë arsye edhe ka dhënë idenë që kryesit të punimeve t’i kërkohet që të përfundon pjesën deri te pompa e vjetër, në hyrje të qytetit dhe të pezullohet përkohësisht puna te pjesa tutje në qytet, pasi do të shfaqen probleme të mëdha jo vetëm në qarkullim, si me automjete, ashtu edhe të këmbësorëve, por një dëm i madh u bëhet edhe bizneseve, të cilët në këtë periudhë e kanë valën e punës dhe përgatitjet e tyre janë bërë për pritjet që i kanë në këtë periudhë.
“Do të isha shumë i lumtur nëse ky propozim i imi do të gjente mirëkuptim dhe do të zbatohej”, ka thënë Abdyli.