Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, Riza Abdyli, shef i Grupit të anëtarëve të PDK-së, ka shprehur shqetësimet e banorëve të Velekincës lidhur me rrjetin e ri të kanalizimit, që sipas Abdylit, nuk është duke u realizuar mirë.
Ai ka kujtuar se rrjeti paraprak i kanalizimit në Velekincë, si rrjeti i tillë ishte punuar në 2003, por se që nga fillimi nuk ka qenë funksional, Tani, siç thotë Abdyli i PDK-së, po punohet rrjeti i ri i kanalizimit, porse ka shprehur shqetësimet e banorëve se edhe ky rrjet nuk është duke u bërë në bazë të projektit, transmeton 2LONLINE.
Ai tha se në rrjetin e ri që është duke u punuar, mund të ndodhë që pesë degëzime nuk do të mund të kyçen, kështu që edhe ky rrjet mund të mos jetë funksional sikurse ai i pari.
“Të merren masa nga drejtoria përkatëse. Janë taksa të qytetarëve dhe mos bëni punë kot, pa rezultat”, ka thënë Abdyli, sipas të cilit, kur jemi te ky rrjet i kanalizimit, këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me Velekincën, por edhe me një pjesë të lagjes së Vishnjave dhe Arbërisë.
.