Riza Abdyli, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan, ka thënë se është për tu habitur se si kryetari i Komunës së Gjilanit e çon buxhetin për votim në Kuvend, ndërsa sa muaj janë bërë që dy drejtoritë më të rëndësishme, ajo e Financave dhe e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, janë pa drejtorë.
Sipas tij, zvarritjen e emërimit të dy drejtorëve e bënë vetëm pakënaqësia brenda subjektit të cilit i takon kryetari dhe se nuk ka pengesë tjetër që mund ta ketë ndal që t’i emërojë ata.
“Kjo nuk është aspak e rëndësishme. Qytetarit nuk i interesojnë pakënaqësitë dhe apetitet brenda partisë, ata duan shërbime cilësore, përkujdesje institucionale, trajtim serioz, si dhe respektim e përgjegjësi ndaj dhe për besimin që keni marrë. Madje është dhe obligim ligjor. Kush të jep gjithë këtë komoditet që me vazhdu me qenë pa drejtorë edhe pak gjithë këtyre muajve”, ka thënë Abdyli i AAK-së.
Ai shton se qeverisja nuk është punësim, nuk është praktikë, nuk është një mundësi për me bë përvojë.
“Qeverisja kërkon njerëz të përgjegjshëm, punëtorë, të vetëdijshëm për detyrat e tyre, guximtarë, vendimmarrës dhe konstruktiv e unifikues. Nuk qeveriset me inate e as duke bërë eksperimente. Emëroni drejtorët, anipse prap ndodh ajo çka thotë kryetari, por emëroni”, ka thënë ish anëtari i Kuvendit Komunal, Riza Abdyli, tani anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan. /2LONLINE/