Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur sot “Akademia e Flakës”, aktivitet ky në kuadër të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2020”, që sivjet i kushtohet kryengritësit të Anamoravës, kolosit të kombit, Abdullah Tahiri, në 21 vjetorin e rënies.
Me këtë rast, në emër të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri dhe institucioneve komunale, Akademinë e hapi, Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit e cila i ka falënderuar të gjithë ata që vazhdojnë të jenë me “Flakën…”, tani e 29 vite me radhë, gjithmonë duke i nderuar dëshmorët e kombit dhe të gjithë ata që kanë vepruar e luftuar, në të gjitha format, për lirinë e trojeve shqiptare dhe pavarësinë e Kosovës.
Ajo tha se edicioni i sivjetme i dedikohet të gjithë të rënëve, e në veçanti heroit të kombit, Abdullah Tahiri, i cili si në angazhimet e ndryshme studentore si dhe ato politike kundër regjimit jugosllav tregoi një heroizëm të jashtëzakonshëm duke shpërndarë idenë e çlirimit dhe duke luftuar për të drejtën e popullit shqiptar për të jetuar të lirë dhe për të bërë shtetin e Kosovës.
“Abdullah Tahiri mbetet shembulli më i mirë i një veprimtari e luftëtari për liri. Në 20 vjetorin e vdekjes i është vënë gurthemeli i shtatores së tij, e në 21 vjetorin e vdekjes, pikërisht në atë vend ku edhe u arrestuar, shtatorja e tij do të skalitet në bronz, për të qëndruar gjithmonë në mesin tonë”, ka thënë kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini.
Ndërsa, duke folur për manifestimin e “Flakës…”, ajo tha se edhe në këtë 29 vjetor “Flaka…”, vjen me gjithçka të paharruar brenda saj, me të gjitha aktivitetet që i ka zhvilluar që nga 1991 e deri më sot.
Ajo lindi në rrethana të papërshtatshme politike në të cilat gjendej Kosova, nga pushtimi serb që padenjësisht ngufaste jetën shoqërore ndër shqiptarë. Nisi në dhjetëvjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës e të Kadri Zekës, flaka u ndez për nderë të Rexhep Malës e Nuhi Berishës e të gjithë heronjve tjerë, që me heroizmin e tyre u vunë kundër pushtuesit serb.
Kurteshi Emini tha se “Flaka e Janarit”, përveç si manifestim kulturor që përmes katër shtyllave të saja, letërsinë, muzikën, dramën e pikturën, shfaqi art, ajo me potencialin e saj përhapi edhe idenë e çlirimit të Kosovës. Edhe pas luftës, për më se dy dekada kjo flakë vazhdon të mbetet e ndezur duke jetuar në të gjitha trojet shqiptare, duke i falur Gjilanit, Kosovës dhe më tej, një muaj të pasur me aktiviteti kulturore.
Për ecurinë e Flakës ndër vite foli edhe Sabit Rrustemi, veprimtar dhe shkrimtar gjilanas i cili tha se “Flaka e Janarit”, nga nesër e deri më 31 janar të këtij viti, nis rrugëtimin e saj të njëzetenëntë, për t’i përkujtuar përmes artit pamor, skenik, letrar e muzikor të gjithë ata bij e ato bija, që e nderuan këtë dhe të shqipeve, me gjënë më të shtrenjtë të tyre që e ka kjo botë e dukshme dhe e prekshme: jetën, duke gjakuar lirinë, pavarësinë dhe gjithçka tjetër që është e mirë e që i duhet vendit të lindjes, të jetës e të vdekjes – Atdheut.
Ai foli për atë se si lindi “Flaka e Janarit” si u ngrit mbi katër shtyllat e krijimtarisë artistike dhe për rrugëtimin e saj ndër vite, se si “Flaka e Janarit”, nga fillimi e deri në ditët e sotshme, luajti rol unifikues në raport me afrinë ndaj njëri tjetrit, në arritjen e qëllimeve të synuara për liri e bashkim kombëtar që ishte , është dhe do të mbetet amanet për breza e breza shqiptarësh.
Ndërsa, për shëmbëlltyrën e heroit Abdullah Tahiri foli edhe historiani, Blerim Haziri nënkryetar i Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri”, Dega në Gjilan, i cili fillimisht ka paraqitur një biografi të shkurtër të heroit ndërsa ka përkujtuar angazhimet e tija në vitin 1981, saktësisht 11 marsin, ku Abdullah Tahiri bëri veprën që shënohet në histori si: “përmbytja e tabakut të ushqimit”, si shenjë revolte dhe se që nga ky moment shënohet fillimi i demonstratave të vitit 1991 që nuk ishte rastësi por ishte shkëndijë e parë për liri e mëvetësi kombëtare. Më 26 mars studentët filluan demonstratat në kryeqytet.
Haziri tha se për organizim sa më të mirë të demonstratave, Abdullahu bashkëveproi edhe me disa veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare dhe me 1 e 2 prill të 1981, demonstratat u popullarizuan duke marr përmasat e një kryengritje gjithë-popullore për liri ku hapur u kërkuar që Kosova të bëhet Republikë.
Ai po ashtu ka përkujtuar momentin kur Abdullah Tahiri, në një takim të unionin të subjekteve të bashkuara, mbajtur më 15 qershor 1998 në Gjilan, kërkoi publikisht përkrahjen për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke kërkuar që të gjithë pa dallim partie të bashkohen rreth UÇK-së.
Policia serbe e kishte arrestuar Abdullahun si nismëtar të UÇK-së në Zonën e Karadakut, ku fillimisht mbajti burgun në Gjilan për t’u transferuar në Dubravë nga ku nuk doli i gjallë. Haziri tha se ai nuk pati fatin ta përjetojë lirinë e Kosovës por ai rron në kujtimet tona.
Në emër të familjes Tahiri, të pranishmëve iu drejtua ish i burgosuri politik Bejtulla Tahiri, i cili vlerësoi komunën e Gjilanit për këtë organizim të kësaj Akademie dhe në veçanti që këtë vit po i kthen, heronjtë, dëshmorët e kombit në vendin e tyre, duke përmendur këtu shtatoret e Idriz Seferit, Mulla Idrizit, Agim Ramadanin e tani edhe të Abdullah Tahirit, aty ku e ka vendin me flamur në dorë.
Ai tha se nëse duam ta qojmë amanetin e dëshmorëve në vend , dy gjëra nuk duhet harruar: amanetin e dëshmorëve për bashkim të të gjitha trojeve shqiptare si dhe miqtë tanë që na çliruan.
Përndryshe, manifestimi mbarëkombëtar, i njëzetenënti me radhë i “Flakës së Janarit 2020” në mbrëmje ka vazhduar me Ekspozitën kolektive të arteve pamore – “Peneli i Flakës”, hapur në Galerinë e Qytetit të Gjilanit.
Aktivitetet e ndryshme të këtij manifestimi, që është shndërruar tani më në një identitet kulturor për Gjilanin, e që iu kushtohet heronjve të kombit dhe të rënëve për liri, që nga periudha e Skënderbeut e deri ta lufta e fundit e UÇK-së, do të vazhdojnë deri më 31 janar.