“21 vite më parë, qytetarët e Gjilanit filluan një epokë të re të jetës dhe çlirimit përfundimtar nga armiku shekullor. Në këtë ditë kujtojmë të gjithë çlirimtarët e UÇK-së, Heronjtë, Dëshmorët e Martirët e anës tonë, të cilët sakrifikuan jetët e tyre për të arritur deri te 15 Qershori i vitit 1999. Kujtimi për këtë ditë është edhe kujtimi për kolosët nga treva jonë, Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani, e Agim Ramadani, të cilët dëshmuan më së miri në atë se si ndërtohet kohezioni i përbashkët i një beteje çlirimtare të popullit tonë”, ka thënë Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Sipas tij, e gjithë kjo arritje dhe rrugëtim i gjatë, ishte edhe falë strategut të politikbërjes më me nam në shqiptari, Dr. Ibrahim Rugova, i cili ndërtoi rrugë dhe aleanca të mëdha me superfuqitë botërore.
Ismajli thotë se poashtu, në këtë ditë kujtojmë edhe hyrjen e forcave NATO-s, të cilët i shërbyen mbrojtjes dhe çlirimit përfundimtar nga aspiratat shekullore serbo-sllave.
“Pikërisht, në këtë muaj, do të bëhet vendosja e shtatores së Heroit tonë Kombëtar, Abdullah Tahiri. Tani e tutje, Abdullah Tahiri, i kthyer në bronz, do t’i bëjë nder dhe roje gjithë Gjilanit, por edhe të gjithë shqiptarëve në përgjithësi. Kujtimi për heronjtë dhe kolosët e pushkës, do të jetë kujtimi më me vlera të cilët e posedojmë populli shqiptar”, ka thënë Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit. /2LONLINE.com/