Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan ka mbajtur sot tryezën me temë ”Aleanca për Ujin”, ku me fjalët e tyre u paraqiten, Nazim Gagica, kryetar i AAK-së, dega në Gjilan (fjalë hyrëse), Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj (me fjalën e tij kryesore), derisa Mumin Morina, koordinator i departamentit për ujë dhe politika mjedisore në kuadër të AAK-së, prezantoi programin qeverisës për ujin, për t’u hapur pastaj diskutimi për pjesëmarrësit e tjerë.
I pari i AAK-së në Gjilan, Nazim Gagica ka thënë se kryetari Haradinaj dhe ekspertë të shumtë në kuadër të degës e nga qendra, me seriozitetin më të madh i qasen problematikës për ujë, edhe në komunën e Gjilanit dhe se Aleanca ka zgjidhje konkrete për këtë problematikë dhe ajo ndodhet në programin qeverisës që ofron Aleanca dhe kandidati për kryeministër, ish-kryeministri që e ka kthy vëmendjen nga qendra në Gjilan, Ramush Haradinaj.
“Bashkë do ta bëjmë Gjilanin një komunë të jetueshme dhe pa probleme me ujin e probleme tjera”, ka thënë Gagica.
Ndërsa, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se uji është jetë, dhe sot në Gjilan po diskutojnë për të ardhmen e këtij resursi jetik për vendin tonë. Qytetarët e Kosovës meritojnë furnizim të pandërprerë me ujë të pastër – pa njoftime se uji i këtij apo atij liqeni nuk është i pijshem, jo reduktime dhe pasiguri për nevojat bazike.
“Programi ynë parasheh investime madhore në shtatë diga të reja, nga Manastirica në Prizren deri në Desivojcë të Kamenicës. Për Gjilanin, kemi tre zgjidhje konkrete në studim: pendën në Moravën e Binçës, në Llapushnicë, apo në rrjedhën e Lepencit. Do të zgjedhim alternativën më të mirë, që i shërben qytetarëve për dekada”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, nuk mjafton vetëm furnizimi – duhet të mbrojmë edhe cilësinë e ujit. “Impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura në Prizren, Pejë dhe Gjakovë janë vetëm fillimi. Do të përshpejtojmë projektet në Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Prishtinë, si dhe do të ndërtojmë impiante të reja në komunat më të vogla. Sistemet e menaxhimit të ujërave atmosferike do të parandalojnë vërshimet dhe do të mundësojnë ripërdorimin e ujit për bujqësi dhe industri”.
“Ky vizion për menaxhimin e ujit nuk është thjesht një premtim – është garanci për zhvillim ekonomik, mbrojtje mjedisore dhe cilësi më të mirë jetese për çdo qytetar të Kosovës. Derisa të tjerët flasin, ne veprojmë me plan konkret për të ardhmen e sigurt të resurseve tona ujore”, ka thënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Më pas, Mumin Morina koordinator i departamentit për ujë dhe politika mjedisore në kuadër të AAK-së, prezantoi programin qeverisës për ujin, duke e shpalosur zgjidhjen që e mendon ky subjekt për këtë problematikë, për t’u hapur pastaj diskutimi për pjesëmarrësit e tjerë, të cilët poashtu kontribuuan në këtë temë, por edhe dhanë mendimet e tyre mbi atë që u prezantua dhe që AAK e ka në program, në lidhje me ujin. /2LONLINE/