“Sa isha Kryeministër, Gjilani kishte vëmendjen e Qeverisë së Kosovës, vëmendje të merituar, që nuk e kishte pasur në qeveritë paraprake”, ka thënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit të tij në Gjilan, ku subjekti që drejton, dega e Gjilanit, ka shënuar 24-vjetorin e themelimit.
“Në shënimin e 24-vjetorit të themelimit të degës së Aleancës në Gjilan, degës së parë në nivel vendi, bashkë me kryetarin, Nazim Gagica dhe kolegë tjerë, vizituam Këshillin e Bashkësisë Islame, ku u pritëm nga Naim Aliu me bashkëpunëtorë të cilët i falënderuam përzemërsisht për bashkëpunimin e sinqertë, për kontributin e dhënë ndër vite dhe rolin e tyre në shoqëri”, ka bërë me dije Haradinaj.
Më pas, shtoi Haradinaj, në selinë e Aleancës në Gjilan, mirëpritën dhjetëra anëtarë të rinj të cilët u bashkuan në familjen politike të AAK-së, e cila është shndërruar në adresë serioze për njerëzit që duan të japin kontributin e tyre për Gjilanin e për Kosovën. Aleanca është subjekti më serioz për përparimin ekonomik të vendit dhe integrimit euroatlantik.
“Në fund të ditës, kisha nderin të ndaj mirënjohje për kryesinë e Lidhjes së Sporteve të viteve ’90-a, të cilët në rrethana jashtëzakonisht të vështira për shqiptarët, kishin vendosur të krijonin organizimin paralel të sportit në kohën e okupimit. Shpirti atdhedashës i tyre, kishte kapërcyer edhe ato që dukeshin të pamundura. Lidhja e Sporteve ishte më shumë se sport, ishte për kombin, për lirinë e Kosovës”, ka thënë, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Mirënjohës ndaj atyre që aderuan por edhe të sportistëve dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në sferën e sportit, gjatë viteve të 90-ta, janë treguar edhe kreu i degës së AAK-së, Nazim Gagica, ish komandanti i Zonës së Karadakut të UÇK-së, ish ministri e deputeti, Ahmet isufi si dhe zyrtarë të tjerë të AAK-së, së Gjilanit.
“Hapësira për veprim në Aleanca nuk ka munguar asnjëherë, nuk do të mungoj as tani. Ardhjet e reja na fuqizojnë dhe na bëjnë subjekt politik të fortë dhe të gatshëm për me i dhënë Gjilanit qeverisje të cilën e meriton dhe e cila i ka munguar”, ka thënë Gagica.
Ai shtoi se bashkë me kryetarin Haradinaj, struktura të degës, deputetë e zyrtarë të Aleancës nga niveli qendror, nderuan me mirënjohje anëtarët e kryesisë së Lidhjes së Sporteve të viteve ’90-a, vite këto të rënda për shqiptarët. Kontributi i tyre për sportin dhe për çështjen kombëtare është i pazëvendësueshëm.
Gagica ka thënë se ndarja e mirënjohjeve për ta është nder për neve dhe se janë mirënjohës ndaj kryesisë e ndaj secilit sportist dhe sportiste që ishin pjesë e sportit në kohën e regjimit, atëherë kur gjithçka ishte e rëndë.
“Me kryetarin Haradinaj u mirëpritëm nga kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Gjilan, Naim Aliu me bashkëpunëtorë. E falenderuam për bashkëpunimin dhe kontributin e tij dhe të BIK-ut dhënë ndër vite për komunitetin dhe përgjithësisht për Gjilanin. Bashkëpunimi ynë është tradicional, i sinqertë dhe i tillë do të mbetet. Urime Aleancë 24-vjetorit i themelimit”, ka thënë kryetari i Degës së AAK-së së Gjilanit, Nazim Gagica. /2LONLINE/