Ndoshta psikologjia si shkencë e re e studimit në Kosovë dhe si shkencë ndoshta më pak e njohur nga Ministria e Arsimit, por edhe nga institucionet tjera relevante, ka bërë që mos të ketë ndoshta një përkrahje të mirëfilltë nga institucionet e lartpërmendura, edhe pse sot në botën e civilizuar llogaritet si profesioni më i vlerësuar dhe më i integruar në shoqëritë botërore, ku psikologu është i përfshirë në të gjitha institucionet si; në familje, institucione shëndetësore, në të gjitha shkollat parauniversitare, organizata publike dhe jo publike, shoqata me karakter edukimi dhe trajtimi.
Shkruan: Nevzat Shemsedini
Kjo përfshirje ka pasur efekte shumë të rëndësishme në shumë fusha të evitimit dhe parandalimit të dukurive negative, por edhe në mbarëvajtjen nën kontroll të mirëqenies psiko-emocionale dhe fizike.
Sot, në Kosovë dinamika e jetës, vrapimi i shpejtë i jetës, mungesa e komunikimit të nevojshëm me fëmijët nga ana prindërore (ndoshta pa dashjen e tyre për shkak të dinamikës) dhe reformat që kanë përfshirë sistemin arsimor, përdorimi i dukurive negative si dhe përdorimi i teknologjisë me përmasa enorme, ndryshimet kulturore, etj.
Si kurrë më parë është shumë e nevojshme përfshirja e kuadrit psikologjik (psikologëve) në sistemin arsimor e sidomos në atë parauniversitar i cili do të ndikonte dukshëm jo vetëm në evitimin apo parandalimin e dukurive dhe sjelljeve negative, por edhe në ngritjen e cilësisë në mësimnxënie dhe mësimdhënie.
Pra, ky proces ristrukturimi i gjithë kësaj dinamike familjare dhe shkollore nuk mund të kuptohet pa ecurinë dhe mbështetjen e shërbimit psikologjik në arsimin tonë.
Duke e ditur se problemet e edukimit në shkolla kanë vështirësitë e veta, me përmasa të reja, zgjidhja e të cilave kërkon njohjen dhe bashkërendimin e punëve të gjithë akterëve në shkolla, e veçanërisht kontributin e psikologut shkollor, i cili duke mbajtur marrëdhënie të drejtpërdrejta me nxënësit, mësuesit dhe komunitetin, praktikon në mjediset e shkollave, përqasje psikologjike, sociale dhe emocionale tek fëmijët, nxënësit dhe adoleshentët, por edhe te mësimdhënësit.
Përfshirja e psikologëve në shkolla në pika të trasha do të mundësonte që në shkollat tona të këtë efekte shumë pozitive në shumë fusha si: në identifikimin e sjelljeve negative, ngecjet në performancë, në konfliktet ndërpersonale, në ndërtimin e socializimit , në çrregullimet mendore dhe emocionale, në mospërshtatjen e tyre, problemet në mësimnxënie, etj.
Inkuadrimi i Psikologut në shkolla do të rezultonte shkëlqyeshëm në parandalimin dhe modifikimin e e fushave të lartpërmendura, nëse do të kuptonin rëndësinë e psikologëve tash me veç të diplomuar të një numri të konsideruar të profileve të ndryshme në vendin tonë.
Qëllimi kryesor i inkuadrimit të shërbimit psikologjik në shkolla mundëson ndër të tjera edhe identifikimin mirëqenies mendore, emocionale dhe fizike të nxënësve, lehtësimin i procesit të të nxënit, bashkëpunim me stafin e shkollës, mësues e drejtues, planifikon dhe realizon shërbime që mundësojnë zhvillimin akademik, profesional, social dhe personal të nxënësve.
Për të qenë më i qartë në rëndësinë e psikologut në shkolla , do të praqes disa pika ku do të reflektonte suksesshëm.
Psikologu apo psikologët në shkolla: ndihmojnë në ngritjen e motivimit në mësimxënie, identifikimin e vështirësive potenciale në procesin e të mësuarit, identifikimin e problemeve mendore dhe emocionale të nxënëseve.
Ofron teknika psiko-sociale për prindërit dhe mësuesit në mënyrë që këta të ndërhyjnë për të rregulluar sjelljet e dëmshme të fëmijëve, ofron modele tolerance për të kuptuar dhe vlerësuar diversitetin e sjelljeve të ndryshme në shkollë, ofron modele të cilat stimulojnë shndërrimin e ambientit shkollor në një ambient të sigurt për fëmijën.
Ndihmon stafin në përpilimin dhe zbatimin e ndërhyrjeve, ofron konsultim për stafin dhe gjetjen e rrugës për një menaxhim më të mirë të orëve mësimore, ndihmon stafin dhe prindërit të hartojnë plane të koordinuara të ndërhyrjes shtëpi-shkollë, ndihmon në evitimin e frikës së fëmijëve rreth fillimit të shkollës, ndihmon në menaxhimin e keq të kohës nga nxënësit, ndihmon në mos dështimet në rezultate akademike.
Po ashtu ndihmon në identifikimin e nxënësve rreth krizave që kanë në familje, identifikimin e depresionit në fazat e hershme te fëmijët, identifikimin e përdorimit të dukurive negative (duhanit, alkoolit , drogave dhe substancave tjera), ndihmon edhe në shqetësimet rreth seksualitetit.
Ndihmon në vetëvlerësimin e ulët rreth aftësive të nxënësve, ndihmon në marrëdhënie dhe vendimmarrje me moshatarët, propozon qasje psikologjike ndaj nxënësve me paaftësi apo me talente të rralla, ndikon dukshëm në ngritjen dhe përforcimin e besimit tek nxënësit.
Po ashtu, ofrojnë trajnime për mësuesit në lidhje me: aspektet e strategjive të kontrollit të sjelljes, metodave paralele të vlerësimit, menaxhimit të stresit në punë dhe familje, ofrojnë trajnime për nxënësit në lidhje me menaxhimin e kohës, stresit, modifikimin e sjelljeve negative dhe në menaxhimin emocional ,etj.
Prandaj duhet psikologu në shkolla! Mos e neglizhoni!
/PhD.Mr.sc.Nevzat Shemsedini- Psikolog klinik/