Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, hero kombëtar i shqiptarëve

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, hero kombëtar i shqiptarëve

Gjergj Kastrioti lindi më 1405. I ati Gjoni dhe e ëma Vojsava patën katër djem (Stanisha, Reposhi, Konstandini dhe Gjergji) dhe pesë vajza (Mara, Jella, Angjelina, Vllajka dhe Mamica). Vitet e para të fëmijërisë Gjergji i kaloi në kohën e lulëzimit të Principatës së Kastriotëve. Mirëpo, me rënien e Krujës nën sundimin osman më 1415, ai ishte i detyruar të shkonte peng në oborrin e sulltanit në Adrianopojë. Për datën e marrjes peng të Gjergjit ekzistojnë dy teza: viti 1415 apo 1423.

Nga: Prof. dr. Fehmi REXHEPI

Nga sulltani Gjergji u konvertua në mysliman dhe mori emrin Skënder, sipas Alekasandrit të Madh. Aty u edukua dhe u shkollua në Akademinë e içogllanëve. Si kadet i ushtrisë osmane mori pjesë në fushata ushtarake që organizonte sulltani, kryesisht kundër të krishterëve për ç’asrye i ati Gjoni kishte qenë i detyruar të kërkonte falje nga senati i Venedikut më 1428.

Për aftësitë e tij ushtarake u nderua me titullin “bej” dhe kështu me emrin Skënderbej do të bëhet i njohur në gjithë botën deri në ditët e sotme pa u zbeh për asnjë moment, por gjithnjë duke shkëlqyer shumë e më shumë. Më 1438, pasi kishte fituar besimin e sulltan Muratit II (1421-1451), Skënderbeu u emërua komandant ushtarak i kështjellës së Krujës, si dhe vendosi kontakte me Venedikun dhe Raguzën një vit më pas. Raguza më 1439 e shpalli Skënderbeun qytetar nderi, ndërsa një vit më parë këtë e kishte bërë edhe Republika e Venedikut. Brenda këtyre viteve e ndeshim si sanxhakbej në Dibër (1440).

Pas Betejës së Nishit, në nëntor të vitit 1443, kur trupat osmane pësuan me rastin e një ofensive hungareze të udhëhequr nga Janosh Huniadi, Skënderbeu dhe nipi i tij Hamzai, së bashku me 300 kalorës braktisën forcat osmane dhe ju drejtuan Krujës, ku, më 28 nëntor 1443, pasi e mori kështjellën e Krujës, ngriti lart në kështjellë flamurin kuq e zi të Kastriotëve.

Për të konsoliduar pushtetin e tij, Skënderbeu, pos tjerash formoi aleanca edhe përmes martesave me pjesëtarët e familjeve të njohura feudale të kohës. Ai u martua me Donikën, bijën e Gjergj Arianitit, ndërsa motra e tij, Mamica, u martua me Karl Muzakë Topinë.

Ishte meritë dhe iniciativë e guximshme dhe largpamëse e Skënderbeut që mori përsipër dhe themeloi Lidhjen e Princërve Shqiptarë në Lezhë, më 2 mars 1444. Lezha më herët ishte kryeqendër e Dukagjinëve, ndërsa në kohën e mbajtjes së Kuvendit ajo ishte nën qeverisjen e Venedikut.

Kuvendi i Lezhës u organizua mbi bazën e traditave më të hershme shqiptare. Sipas biografit më të madh të Skënderbeut, Marin Barletit, në Kuvend morën pjesë shumë princër, si: Pal dhe Nikollë Dukagjini, Lekë Zaharia, Pjetër Spani, Lekë e Pjetër Dushmani, Gjergj Stres Blasha, Andrea Topia, Gjergj Aranit Topia, Teodor Muzaka, Shtjefën Çernojeviqi etj. Përfaqësuesi i Venedikut dhe ai i Raguzës, edhe pse ishin të fuar, nuk morën pjesë në Kuvend.

Kuvendi i Lezhës mori një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën juridike dhe aleancën ushtarake të këtij organi. Me gjithë diversitetet, për shkak të interesave të ndara, pjesëmarrësit në Kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman. Gjithashtu, u vendos për formimin e një ushtrie të përbashkët në parimin federal. Sipas traditës, u themelua Besëlidhja që u konsiderua si një lloj federate me një kryetar të vetëm që ishte Gjergj Kastrioti i quajtur Primus Inter Pares – I pari ndër të barabartit.

Krahas politikës së brendshme, Gjergji i kushtoi rëndësi të madhe edhe politikës së jashtme. Në skenën politike evropiane, Skënderbeu kishte hyrë në kohën kur ajo ishte tejmase e përçarë ashtu siç ishin të përçarë edhe vet shqiptarët. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Gjergj Kastriotin do ta përfaqësonin një sërë diplomatësh, kryesisht nga radhët e klerit katolik, siç ishte arqipeshvki Pal Engjëlli, abati Lazar, abati Gjergj Pelini i Novobërdës, pastaj vëllezërit Gjin e Pal Gazulli, të cilët u morën me marrëdhëniet e Skënderbeut me Raguzën, me Shtetin e Papës si dhe me Mbretërinë e Hungarisë.

Gjatë viteve 1443-1444 si dhe 1448-1456, Gjergj Kastrioti bashkëpunoi me Janosh Huniadin për të luftuar në Fushë Kosovë dhe në Beograd kundër osmanëve. Rezultatet e këtij bashkëpunimi do të shihen në rekrutimin e luftëtarëve me një ushtri prej 15.000 deri 20.000 vetash. Vetëm gjatë viteve 1444-1446 Gjergji sprapsi trembëdhjetë sulme osmane (Beteja e Torviolit, 1444). Gjatë viteve 1446-1448, 1450-1457 dhe 1462-1465, Skënderbeu korri fitore në Dibër, Pollog, Domosdovë, Fushë Kosovë, në grykat dhe luginat e Drinit dhe Shkumbinit, në Livadhi të Ohrit (1462), në Fushën e Vajkalit (1465) etj.

Strategjia dhe taktika luftarake e Skënderbeut ka mbetur e pashlyeshme në dokumentet relevante të kohës e sidomos disfata e Muratit II, i cili i shoqëruar me rreth 100.000 ushtarë rrethoi kështjellat e Dibrës dhe Sfetigradit më 1448 dhe atë të Krujës më 1450, por pasi rrethimet nuk rezultuan me sukses, sulltani u detyrua të tërhiqej i turpëruar.

Në mesin e fitoreve të mëdha të Skënderbeut kundër forcave osmane pa dyshim duhet veçuar sidomos Betejën e Albulenës, më 1457, ku sulltani, për ta mundur Skënderbeun i kishte dërguar 20.000 kalorës. Përpos dhjetëra dokumenteve zyrtare për këtë betejë është i njohur edhe vlerësimi i kalorësit anglez, Xhon Njuport, i cili njëherit ishte edhe pjesëmarrës vullnetar në këtë betejë. Gjatë qëndrimit të tij në Romë, më 1458, ai kishte deklaruar: “Po të bjerë kështjella shqiptare, pushtimi i Evropës nga osmanët është i sigurt, pasi nuk ka fuqi tjetër që ta bëjë këtë rezistencë”.

Qëndresa e madhe në rrethimin e Krujës më 1450, si dhe fitoret e mëhershme që nga viti 1443 Skënderbeut i mundësuan të rifillonte procesin historik për krijimin e shtetit të njësuar të Arbërit, që ishte ndërprerë nga pushtimet osmane.

Pas sukseseve që tregoi në mbrojtjen e Krujës më 1451 Skënderbeu filloi të quhet zyrtarisht “Zot i Arbërisë”.

Pas Kuvendit të Lezhës, marrëdhëniet e Skënderbeut me Republikën e Venedikut u përkeqësuan, për shkak të aspiratave venedikase ndaj krahinës së Dejës. Mosmarrëveshja mes tyre u zgjidh vetëm më 1448, kur u nënshkrua një traktat, sipas të cilit, Deja e Drishti i kaluan Venedikut me një kompensim prej 1400 dukatësh në vit në dobi të shtetit të Skënderbeut.

Në luftërat e tij kundër pushtuesve osmanë, Gjergj Kastrioti kishte mbështetjen formale-deklarative të Shtetit të Papës, të Republikës së Venedikut e të Republikës së Raguzës, të Mbretërisë së Napolit dhe të Mbretërisë së Hungarisë.

Papa Kalisti III (1415-1458) Skëderbeun e kishte dekoruar me titullin “Atleti i Krishtit” si dhe e kishte graduar për kapiten të përgjithshëm të Selisë së Shenjtë. Skënderbeu mbështetjen më të madhe e pati nga Mbreti i Aragonisë, Alfonsi V i Napolit, i cili sipas Traktatit të Gaetës (1451), Skënderbeun do ta njihte për vasal në ato toka që do të çliroheshin me forca të përbashkëta. Pavarësisht nga situata e krijuar, osmanët arritën të korrnin fitore në Berat më 1455, ku si pasojë Skënderbeu u detyrua të zhvendosej në Napoli të Italisë me 2500 trupa për të përmbushur detyrimin e tij sipas Traktatit.

Pasuesi i Alfonsit V, Ferdinandi I (1458-1494), kërkoi nga Skënderbeu ndihmë për të mposhtur rivalin e tij, dukën Anzhu i cili aspironte të sundonte Napolin. Skënderbeu me luftëtarët e vet, më 1458 arriti ta mposhtë rivalin kryesor të Ferdinandit, Gion Antonoi Orsinin, Princin e Tarantos, në operacionet luftarake që u zhvilluan në Barletta dhe Trani. Pas fushatës, një pjesë e ushtrisë së Skënderbeut mbeti në Itali, për ta themeluar koloninë e parë arbëreshe në Kalabri.

Ndërkohë, u bënë përpjekje që luftërat e Skënderbeut të zgjeroheshin dhe të mbështeteshin edhe në planin evropian. Së pari në Konferencën në Mantova (1458) si dhe më pastaj më 1464 Papa Piu II shpalli kryqëzatën e shenjtë, e cila nuk u realizua për shkak të vdekjes së tij. Pas mbrojtjes heroike të Krujës gjatë rrethimit të II dhe të III (1466/1467) ku sulltani osman kishte angazhuar më se 150.000 ushtarë, Mehmeti i II iu drejtua viseve të tjera të çliruar për ta shkatërruar vendin. Si pasojë e këtyre sulmeve vetëm në disa krahina të Shqipërisë osmanët më 1467 vranë rreth 10.000 pleq, gra dhe fëmijë. Për ta përballuar gjendjen, Gjergj Kastrioti edhe pse kërkoi ndihmën e shteteve mike, ajo mungoi. Për shkak të autoritetit që gëzonte Gjergji, gjatë vizitës në Romë, i gjithë populli kishte vërshuar qytetin për atë parë luftëtarin e lavdishëm arbëror. Vetëm një vit më vonë Skënderbeu i sëmurë nga ethet vdiq në Lezhë më 17 janar 1468 ku edhe u varros.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ishte, është dhe mbetet i vetmi Hero Kombëtar i shqiptarëve gjegjësisht burrështetasi dhe strategu më i madh ushtarak i të gjitha kohërave, jo vetëm i shqiptarëve. Për veprën dhe jetën e tij ekzistojnë mijëra dokumente zyrtare, vëllime historike e letrare-artistike të shkruara në rreth 40 gjuhë të botës. Për Skënderbeun u realizuan gjithashtu me mijëra vepra artistike si në artet figurative, muzikë, teatër, film etj.

Më duhet të konstatoj se pothuajse i tërë opusi historiko-letrar dhe artistik kushtuar Skënderbeut mbështetet para së gjithash në veprat e humanistëve shqiptarë: Marin Barleti, Marin Beçikemi, Martin Segoni, Dhimitër Frengu, Frang Bardhi etj. në këtë frymë, që nga fillimi i shek. XVI e deri në ditët e sotme kanë shkruar shumë historian e dijetarë shqiptarë e të huaj.

Skënderbeu për popullin shqiptar ishte dhe mbeti simbol i luftës për liri, strateg i madh e mjeshtër i artit luftarak. Figura e Skënderbeut gjatë shekujve tërhoqi vëmendjen e historianëve, ushtarakëve, të burrave të shtetit, të njerëzve të artit dhe të fantazive krijuese të popujve. Këtu e kishte dhe e ka burimin literatura shumëgjuhëshe që u botua dhe po botohet për te në të katër anët e botës.

Figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe lufta që udhëhoqi ai, u bë burim i pashtershëm frymëzimi gjatë luftërave për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe pas saj.

Frymëzim të veçantë në veprën madhore të Heroit tonë Kombëtar gjetën të gjithë brezat që luftuan për lirinë e Kosovës pas vitit 1912.

(Fjalë e mbajtur në Akademinë kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit”)

KOMENTE