Nga: Sabit Rrustemi
Para pak ditësh, në kutinë postare të Fejzbukut, erdhi një Ftesë nga adresa e kompozitorit dhe poetit, Izet Kallaba. Për datën 25 nëntor 2024, ishte caktuar një KONCERT I TRADITËS MUZIKORE me këngët e dy kompozitorëve gjilanas, më të njohurit deri në ditët e sotshme në këto anë, prof Isa Jakupit e prof Izet Kallabës. Koncert që do të mbahej në prag të Festës së Flamurit, festë që tash përfshinë dhe ngjarje të tjera që lidhen me datën 28 Nëntor, daljen publike të ÇK-së si dhe ditëlindjen e legjendarit, Adem Jashari.
Ftesa nuk më la hapësirë për asnjë hamendje: duhet të shkoja… dhe, jo i vetëm, sepse ishte një KONCERT SOLEMN i këtyre dy ikonave gjilanase të kësaj fushe, me të cilët nga viti 1990 e këndej kishim vepruar bashkërisht në të gjitha ngjarjet e veprimtaritë kulturore, para e pas luftës.
Izeti madje, për katër vite gjimnazi, e kam pasur dhe profesor të muzikës, ndërsa me bacën Isë ( se kështu e thërrisja nga respekti që kisha për të – respekt sipas traditës sonë popullore), në fillim të nëntëdhjetave kishim bashkëpunuar në krijimin e disa këngëve, në frymën e kohës në të cilën angazhoheshim, për liri e shtet të pavarur.
Ftesa, më erdhi edhe si një befasi e këndshme dhe fare nuk u hatrova pse nuk më kishte njoftuar paraprakisht Izeti, me të cilin këta muajt e fundit, jemi parë më shpesh.
E prisja me padurim ditën e hënë…
Dje, në një veprimtari letrare që kishim në kuadër të edicionit të 15-të të Manifestimit “Veshta letrare e Gjilanit”, më kap për krahu Izeti e më veçon pak nga të tjerët.
“Ai koncerti i të hënës është shtyrë, sepse Isa nuk është diçka mirë”.
“Po, a ? Mbase i kalon …” u shpreha.
Kur e mbaruam takimin, Izetin e kërkova ,me sy por, nuk e pashë. Doja ta pinim nga një kafe bashkë me miqtë tjerë krijues, Por… as që më shkonte mendja se do të ndodhte ajo që e lexova kah mesi i natës së mbrëmshme në një NJOFTIM të Kushtrimit Jakupit ( djalit të bacës Isë).
S’doja as ta lexoja atë kumt, e, as ta besoja…
Ajo që s’e prisja e që s’e dëshiroja as unë, veç kishte ndodhur. Mësimëdhënësi i muzikës, drejtuesi shumëvjeçar arsimor, kompozitori i shquar gjilanas, kryetari i parë i Shoqatës së Pavarur Kulturore në Anamoravë e, njëri nga themeluesit e Manifestimit “Flaka e Janarit” dhe i një serë veprave muzikore, kishte ndërruar jetë.
Ishte e pamundur të mos e ktheja kujtesën mbrapa, që nga momenti kur kishim shkuar në vjeshtën e vitit 1990 në Zyrën e tij aty ku gjendej atë kohë Shkolla e Muzikës ( sot, Muzeu etnologjik ) dhe kishim biseduar për krijimin e një alternative kulturore që t’mos shpërbëhej kultura e tradita jonë e cila ishte në rrezik. Pastaj kur insistuam dhe e zgjodhëm kryetar të Shoqatës, e cila, de fakto e de jure, vendthemelimin dhe seli të veprimit e kishte Shkollën e Muzikës, një institucion që iu kishte shpëtuar masave të dhunshme të kohës… e, plot e përplot ngjarje të tjera të kësaj fushe, veçanërisht gjatë viteve nëntëdhjeta të shekullit të shkuar, sepse, çdo fushë e jetës, përmes një masivizimi të përgjithshëm dhe të paparë, sot e gjithë, ishte shndërruar në qëndresë popullore, e, Ai ishte në ballë, për gati dy vite, kur për t’mos e rrezikuar selinë tonë të organizimit e të veprimit, e patëm “liruar” nga detyra e kryetarit, për t’ia shmangur gjithë atë presion të pushtetit e të UDB-së serbe, e cila thjeshtë, na kishte halë në sy dhe vetëm pritej kur do të ndërhynte. Po, ne, ua premë paraprakisht vijën masave të dhunshme dhe, vazhduam me angazhimet tona, bashkë me bacën Isë.
Në janar të vitit 1997, nga ajo shkollë muzike u nis edicioni i radhës i “Flakës së Janarit”, madje nën jehun e këngëve të Jusuf Gërvallës, të cilat pas 18 vitesh nën dry, si këngë të ndaluara”, ishin gjetur dhe sjellur në Gjilan, nga arkivat e Radio Shkupit, falë kompozitori Rafet Rudi.
Pas lufte, baca Isë vazhdoi me misionin e tij arsimor e muzikor. Madje një kohë ishte dhe përgjegjës muzike në kuadër të Drejtorisë komunale për kulturë. Madje, me një elan rinor e një përkushtim të thellë, këngëtarët e vegjël, të cilët po formësoheshin përmes shkollës së muzikës, i bëri pjesë të Manifestimit kombëtar të Kulturës, “Flaka e Janarit”, përmes një emërtimi shumë simnbolik – “Xixat e Flakës”, xixa që përmbledhin jo vetëm talentët e kësaj moshe nga Kosova, po edhe jashtë saj, vit për vit, në Gjilan, në nderim të përhershëm për martirët, dëshmorët dhe figurat e shquara të kombit.
As pensionimi nuk arriti ta shmangë nga angazhimet e tija që i kish për zemër, sidomos krijimtarinë dhe veprimtarinë muzikore, ku kishte krijuar dhe një traditë familjare të kësaj fushe, qoftë përmes vajzës, Albinës, përmes djalit, Kushtrimit, po edhe përmes së resë, Shqipes, e nipërve e mbesave që tashmë e rrethonin përditë duke i shtuar dhe jetë.
Po … gjithë këto ëndrra që s’i shqiteshin nga mendja, e, edhe KONCERTIN E SË HËNËS, i shtyri për pak kohë, ky ndërrim jete.
Megjithatë, veprat e tija, ajo trashëgimi e madhe kulturore që krijoi e, e la, janë këtu dhe tash e tutje do të shndërrisin edhe më shumë. E, ky është ngushëllimi më i mirë, si për familjen, për miqtë e shumtë dhe për bashkëqytetarët tanë…
Nga Rrezja e Çepurit, Zhëgër, 24 nëntor 2024