(Rrëfim i haxhi Zenel Ibrahimit nga Myqybaba e Karadakut të Gjilanit)
Nga: Ukshin Zajmi
Prilli i vitit 1941 teritoret shqiptare i ndau sipas interesi të gjermanisë hitleriane, andaj me operacionin “Barbarosa” të Rajhut të Tretë shumë territore shqiptare i takuan Bullgarisë, bile edhe rajoni i Anamoravës i takoi kësaj force, por me ndërhyrjen e gjilanasit Isak Sherif Brestovcit tek Xhafer Deva (Reshat Ramadani: Gjilani…, faqe 73), ky territor i kthehet Italisë, kohë kjo, që nga mosdija populli e quante pushtet i “Shqipërisë”. Andaj kufiri në mes të pushtetit italian dhe bullgar u përcaktua përmes rrjedhës së lumit Morava.
Në bazë të kësaj, masivi i Karadakut të Gjilanit, Preshevës sikundër edhe Kumanova, Shkupi, Manastiri, Dibra e Ohri i takuan Bullgarisë. Për shqiptarët, edhe ky pushtim, sikur ai i Mbreterisë Jugosllave ishte i njejtë, madje edhe më i ashpër. Në gusht të vitit 1942, qeveria bullgare kërkonte që “shqiptarët e rretheve të Shkupit e Manastirit dhe territoreve tjera të rishikonin origjinën e tyre, ose në të kundërten ata, si të gjithë banorët e huaj duhej të shpërnguleshin”. (A.Q. i shtetit-Tiranë. Fondi 251, dos.71 fl.9-11)
Pas Kapitullimit të Italisë, e pastaj në shtator të vitit 1944 edhe të Bullgarisë, banorët shqiptar të trevës së Karadakut i gjeti të bashkuar me udhëheqësit e tyre shpirtëror si Mulla Idriz Gjilani, Sylë Hotla e të tjerë, por përparimin i njësive sllavo-partizane, sikur i bashkoi edhe më shumë në mbrojtjen e kufirit verior të Shqipërisë etnike.
Me thyerjen e këtyre forcave dhe me pushtimin e Gjilanit e të Preshevës (16 Nëntor 1944) nga forcat e ashtuquajtura “partizane”, në radhet e të cilave kishte me shumicë edhe çetnik të rehabilituar, represalja ndaj popullatës shqiptare u shtua dukshëm.
Pas “çlirimit” të Gjilanit e të Preshevës, në të njejtën ditë me 16 nëntor të vitit 1944, partizanët sllavo-komunist proklamonin një bashkëjetëse të popullatës së këtushme e në anën tjetër aplikonin fushatën shfarosëse të popullit shqiptar. Haxhi Zenel Ibrahimi, më 27 shkurt të vitit 1991, autorit të këtyre rreshtave i tha se, partizanët nga fshati Pasjan na quan fjalë në Myqybabë se brigadat e tyre do të kalojnë rrugës të rreshtuar për në Preshevë, andaj besojmë se nuk do të na ngucë askush. Paria e Myqybabës, pasi biseduan edhe me përfaqësuesit e fshatrave tjerë bri rrugës Gjilan-Preshevë, e në bazë të fjalëve të tyre se vetëm do të marshojnë, u quan fjalë se askush nuk do t’i pengoi për të rrugëtuar. Mirëpo thot ai, para mengjesit të 18 nëntorit të vitit 1941 Myqybaba u granatua.
Të gjithë banorët u zgjuan të habitur, sepse ishim informuar se nuk do të ketë luftime. Kjo tradhti e “partizanëve” mobilizoi banorët e aftë e të prirë nga Imeri i Saqës, pasi që banorët tjerë të fshatit u larguan nëpër male, kush ku ka mundur, filloi lufta. Lufta ka zgjatë deri të nesërmen në mbramje. Pasi që u thuen luftëtarët shqiptar, prej të cilëve shumë u plagosën e u vranë, mëqe nuk paten municion të mjaftueshëm dhe ishin pak, partizanët serbo-çetnik, përkatësisht ushtarët e Brigadës së XVII maqedone të prirë nga Glisha Sharanoviq, hynë në fshat dhe i dogjën tërësisht 56 shtëpi të fshatit ndërsa 4 tjera u dogjën pjesërisht.
Pas kësaj masakre që bënë në Myqybabë, ata vazhduan plojën e vet nëpër fshatrat tjera të Karadakut të Gjilanit e të Preshevës. Janë të njohura për banorët e kësaj ane luftërat që janë bërë në lagjën e Ukmemetëve në Depcë, pastaj masakra e 98 burrave në lagjën e Iseukëve, të cilët i futën në një gropë dhe i detyruan nënat e tyre qe t’i përvlojnë me ujë të vluar. Për të mos u dëgjuar britma e tyre, angazhuan daullxhiun (rom) Dautin nga Presheva për ti rënë daulles. Dhe kjo plojë e tyre zgjati tërë muajin nëntor e deri në gjysmën e dhjetorit të vitit 1944.
Gjatë kësaj kohe ata u ushqyen duke there thuaja tërë bagëtinë e këtyre fshatrave, sa që gruaja e haxhi Zenel Ibrahimit, tha se vetëm në dy shtëpi të fshatit Stanec ka parë më shumë se 3000 planca të kafshëve të imta e të trasha që i kanë ngrënë ushtarët e Brigadës xhakatare maqedone. S’do mend se në këtë Brigadë kanë qenë të angazhuar edhe serbet lokal nga komuna e Gjilanit e më gjërë.
Sipas mbamendjes së haxhi Zenel Ibrahimit në këtë luftë të shqiptarëve me parizanët e brigadës së quajtur “xhakatare” maqedone janë vrarë apo kanë vdekur, pasi që janë plagosur, nga Myqybaba:
Sinani i Rexhepit, në rrugë për në Maxhere
Rashiti i Ajetit,plak është therrë me bajonetë,
Neziri i Arifit,
Ajazi i Jasharit,
Imeri i Saçipit,
Rifat Ibrahimi,
Rexhep Veseli,
Qazim Sherifi, dhe
Rizaku i Shaqirit, hoxhë i fshatit, 33 vjeçar.
Nga fshati Buricë, janë vrarë:
Sejdë Hajdari,
Bejta i Zymerit,
Ademi i Hajdarit dhe
Azemi i Rexhepit.
Nga fshati Lipovicë janë vrarë: Kadri e Rifat Selimi; nga Lloca është vrarë Hetem Rrustemi; nga Gosponica: Ramizi i Xhemajlit dhe nëna e Sejdës, e cila është vrarë në derë të shtëpisë para syve të fëmijëve; nga fshati Kokaj është vrarë djali i Dalip Kokës; nga Ranatoci Shabani i Halitit, dhe nga Sllubica një familje 13-14 antarëshe.
Plaku haxhi Zenel Ibrahimi, rrëfeu se banorët e kësaj ane kanë përjetuar katrahura të shumta nga okupatori sllav edhe më heret, kështu që në vitin 1912, nga fshati Myqybabë janë vrarë shumë persona, ndërsa në vitin 1918, në fshatin Gruhali ushtarët e mbretit të Serbisë i kanë provuar pushkët se sa përsona mund t’i vrasin me vetëm një plumb. Në rreshtin prej më tepër se 20 përsonave plumbi i pushkës ka kaluar nëpër trupat e 17 përsonave dhe ka mbetë në trupin e 18-të, e ai trup ka qenë i motres së Shaqës nga fshati Myqybabë.
Referenca:
1.Deklarata e haxhi Zenel Ibrahimit dhënë autorit me 27.02.1991 në Gjilan,
2.Prof. Reshat Ramadani: Gjilani-terrori,represioni dhe eksodi 1944-1956, Gjilan, 2002,
3. Eugen Shehu: Pushtimi bullgar i Kumanovës, Shkupit e Manastirit 1941-44 (http://www.albeu.com/maqedoni/pushtimi-bullgar-i-kumanoves-shkupit-e-manastirit-1941-44-/163103/)
Memoriali në lagjen Iseukaj