Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua
Naim Frashëri
Shkruan: Blerim SHERIFI – /PhD Candidate në Gjuhë Angleze/
Gëzuar 7 Marsi, dita e mësuesit të gjithë atyre të cilët themelet e gjuhës sonë i njomën me gjakun e tyre, e ju të dashur mësues, rrezatofshi vetëm dashuri, dije e mirësi e qofshi të nderuar nga mbarë kombi e shoqëria.
Me përulje dhe nderim për të gjithë ish mësuesit, profesorët dhe pedagogët e mi në ditën më të dashur të tyre, nga zemra u them gëzuar 7 marsi, ditën e mësuesit.
Të dashur ju mësues e mësuese, profesorë, kolegë të mi të mësimdhënies, urime festa e bukur e Mësuesit, dita më e dashur për ju.
Me respekt e nderim të lartë kujtojmë veprën e ndritur të mësuesve dhe patriotëve të shquar që punuan me përkushtim dhe zell të madh në zhvillimin e arsimit dhe ngritjes së vetëdijes shoqërore mbarëkombëtare.
Kjo datë ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqipe mësonjëtores shqipe të Korçës e cila u themelua me 7 mars 1887. Festa e mësuesit në rrafshin kombëtar shërben për t’i vlerësuar traditat më të mira të shkollës shqipe, pa dyshim edhe figurën e nderuar të mësuesit, por edhe gjithë punonjëseve të arsimit si edukatorë të brezit të ri dhe si kontribuues aktiv të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare. Armiqtë tanë na e mohuan gjuhën, shkrimin, kulturën, historinë, etnogjenezën, folklorin, kostumografin, toponimet, … duke na i zhdukur e duke i përvetësuar ato për vetën e tyre! Edhe sot e gjithë ditën, kujtojmë me respektin më të thellë të gjithë ata që u dogjën për t’i shndritur rrugët e gjuhës sonë të ëmbël, rrugët e shkronjave tona të bukura, rrugët e përparimit dhe edukimit të popullit tonë si: Vëllezërit Frashëri, Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani, Todhri, Kazazi, Negovani, Luarasi, De Rada, Mjeda, Fishta, Noli e dhjetëra figura- ikona të gjuhës së ëmbël shqipe të cilët themelet e gjuhës sonë i njomen edhe me gjakun e tyre!
Ai, dhe vetëm ai popull, që është i ngritur, i vetëdijshëm dhe i arsimuar di se ç’kërkon, di të luftojë, dhe di të fitojë lirinë e vet. Pikërisht mbi këtë bazë, pushtuesit tanë na kanë sulmuar, para së gjithash: shkollat, institucionet, akademitë, bibliotekat, muzetë dhe kultin fetar.
Mësuesi është një shembull i ndritur i dijes dhe frymëzimit, një udhëheqës i pashoq i brezave të ardhshëm. Ata janë shkëlqimi që ngrihet mbi errësirat e mërgimit, drita që udhëheq shumë sy dhe zëri që ndez shpirtin për të fluturuar lartë. Mësuesit janë shpresë, ata frymëzojnë për të bërë më tepër dhe për të qenë më të mirët.
Mësuesit formojnë karaktere, ata nxisin ambicje dhe krijojnë udhëheqës të rinjë për shoqërinë. Ata janë që hapin dyertë e diturisë për të gjithë, ata janë gurëthemelet për ndryshimet e mëdha shtetërore,
7 Marsi është një ditë e rëndësishme për të festuar dhe për të nderuar kontributin e mësuesve, kjo është një ditë për të reflektuar në rëndësinë e arsimit dhe të ndërgjegjes së lirisë së vendit. Le të festojmë bashkërisht, duke përshëndetur mësuesit dhe të gjithë ata që kanë bërë gjithçka për të përparuar shoqërinë tonë.
Mësuesit janë idealistët më produktivë në shoqëri, përçues të dijes dhe emancipimit shoqëror.
Që nga rilindja e deri në ditët e sotme, çdo arritje deri te lira është falë punës së pandashme të mësuesit shqiptar.
Në këtë ditë, secili nga ne duhet të reflektojë dhe shoh rolin e mësuesit në zhvillimin dhe prosperimin si komb, siç edhe thotë filozofi kinez me famë Konfuci ”vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”.
Mësuesi prek përjetësinë, kurrë nuk mund të thuhet se ku përfundon influenca e tij.
Ashtu si edhe e dimë, ne si mësues ndikojmë në formimin e individit, një mundësi për t’i shërbyer të tjerëve duke përgatitur e edukuar kuadro të profileve të ndryshme.
Ky profesion ka rol kyç në edukimin e mendjes, andaj edhe duhet kuptuar dhe marrë me shumë përgjegjësi.
Ju dëshiroj shëndet dhe rrezatofshi vetëm dashuri, dije e mirësi e qofshi të nderuar nga mbarë shoqëria.
Gëzuar ditën idealistëve më produktivë në shoqëri, urime 7 marsi – dita e mësuesit shqiptar.
Dhe në fund, në këtë ditë të mësuesit, dua të shpreh një falënderim të thellë për çdo mësues që ka shtrirë duart e tyre për të na udhëhequr në rrugën e diturisë dhe mësimet e jetës. Nëpërmjet angazhimit, durimit dhe dashurisë së tyre, ata kanë ndryshuar jetë dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin tonë. Të gjithë ne duhet të kujtojmë dhe të vlerësojmë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, dhe të përqafojmë shpirtin dhe pasionin e tyre për arsimin.
Gezuar Ditën e Mësuesit për të gjithë mësuesit, udhëheqësit e mrekullueshëm të diturisë dhe frymëzimit! /2LONLINE/