NGA: Faton Bislimi
Sot, më 23 dhjetor, kujtojmë dhe shënojmë me krenari 35-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës – partisë së parë politike pluraliste në Kosovë, që i dha frymën dhe drejtimin lëvizjes sonë kombëtare për liri, pavarësi dhe demokraci.
LDK-ja, e udhëhequr nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, u bë mishërimi i qëndresës sonë paqësore por aktive, intelektuale dhe politike, duke na drejtuar drejt shpalljes së pavarësisë dhe themelimit të shtetit tonë modern. Idealet e saj u mbështetën në vlerat kombëtare, vizionin e integrimit euroatlantik dhe ndërtimin e një shoqërie demokratike, të lirë dhe të barabartë.
Si ish-deputet dhe ish-anëtar i Kryesisë së LDK-së, por mbi të gjitha si një qytetar i Kosovës që beson në ato vlera të larta që LDK përfaqësonte dikur, ndihem krenar për historinë dhe trashëgiminë e saj politike. Por njëkohësisht, ndiej obligimin moral dhe intelektual të them se sot, LDK-ja ka marrë një rrugëtim që shpesh herë duket larg idealit të saj historik dhe përfaqësimit të denjë të vlerave të rugovizmit.
Në këtë përvjetor, uroj që fryma rugoviste, me thelbin e saj të dashurisë për atdheun, unitetin, dhe përkushtimin ndaj kombit, të mos mbetet thjesht një kujtim i së kaluarës, por të rikthehet si busullë udhërrëfyese për të ardhmen. Është koha për një reflektim të thellë dhe për rikthimin e LDK-së në binarët e saj autentikë, për të qenë sërish forca që bashkon dhe frymëzon popullin tonë.
Lavdi veprës dhe sakrificës së gjithë atyre që kontribuuan në ngritjen dhe forcimin e LDK-së ndër vite!
Uroj që lidershipi i tanishëm i LDK-së t’i rikthehet vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare të trasuara nga Presidenti Rugova. Fokusimi në emrin e përvetshëm (qoftë ai edhe i kryetarit të partisë), duke mënjanuar këtë trashëgëmi politike kolektive e kombëtare të LDK-së, është sfidues ndaj gjeneratave të tëra që sakrifikuan gjithëçka për idealin e lirisë pavarësisë e demokracisë nën siglën e LDK-së. /2LONLINE/