Në kazermën “Adem Jashari’’ të Forcë së Sigurisë të Kosovës në Prishtinë, në prani të ministrit të Mbrojtjes, z. Rrustem Berisha dhe komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhanë betimin solemn për shërbim në FSK 349 rekrutë të rinj, pas përfundimit të Trajnimit Bazik nëntë-javorë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj.
Në ceremoninë e betimit të rekrutëve të rinj, gjenerata e parë e FSK-së me mandat të ri, ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, zëvendësministri Kadri Kastrati, drejtori i ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATOS- për FSK-në(NALT), si dhe gjeneralë të FSK-së, KFOR-it, atashe ushtarakë të akredituar në Kosovë dhe familjarë të rekrutëve të rinj.
Me këtë rast, ministri i Mbrojtjes, z. Rrustem Berisha foli për rëndësinë e betimit të ushtarit për shërbim ndaj vendit: ,,Kjo është një datë me rëndësi për karrierën dhe jetën tuaj, për FSK-në, Ministrinë e Mbrojtjes dhe shtetin e Kosovës. Nuk ka detyrë më të ndershme se sa t’i shërbesh vendit dhe të kontribuosh në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe më gjerë. Ju jeni gjenerata e parë e ushtarëve që keni nderin t’i bashkoheni FSK-së me mandat të ri ushtarak. Si Ministër i Mbrojtjes, jam krenar me vajzat dhe djemtë tanë ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, të cilët me sukseset e tyre në shkollat dhe trajnimet e përfunduara në akademitë e ndryshme të vendeve të NATO-s, kanë treguar performancë të shkëlqyer dhe kanë përfaqësuar me nder FSK-në. Pres që edhe ju ta ndiqni shembullin e tyre”-shprehet ministri Berisha .
Kyetari i Kuvendit, z.Kadri Veseli në këtë ceremoni duke i uruar rekrutët e rinj të FSK-së dhe FSK-në në përgjithësi për sukseset e arritura, falënderoj edhe partnerët strategjik të Kosovës dhe NATON për mbështetjen e FSK-së.
Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama para ushtarëve të rreshtuar, u shpreh: ,,Kam kënaqësinë dhe nderin që si Komandant i FSK-së të ju drejtohem juve ushtarë të nderuar, për përfundimin me sukses të Trajnimit Bazik. Ky trajnim, i cili ka zgjatur 9 javë, ka vendosur themelet bazë për karrierën tuaj ushtarake. Ky profesion fisnik kërkon angazhim dhe përkushtim maksimal për t’i shërbyer vendit me nderë dhe dinjitet. Prandaj, unë sot jam shumë i lumtur që ju jeni ata të cilët me angazhimin tuaj keni dëshmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës, nga sot, në radhët e veta do ti ketë djemt dhe vajzat më të zotë e këtij vendi’’.
Komandanti i FSK-së në fund pati edhe një këshillë për ushtarët e rinj; ,,Gjatë karrierës tuaj, ju do të ballafaqoheni me sfida të ndryshme, andaj nga ju pritet që të jeni të disiplinuar, të përkushtuar, dhe gjithmonë të përgaditur t’i kryeni detyrat sipas udhëzimeve të eprorëve tuaj’’.
Lavdatë për sukseset e lartë të arritur gjatë stërvitjes u shpërblyen rekrutët: Shpetim Halilaj, Luan Gashi, Diar Statovci, Donika Rexhepi, Blerta Veliu, Edmond Thaçi, Altin Krasniqi, Ermeka Muja, si dhe për shkathësi të lartë fizike u shpërblyen Gentrit Gashi dhe Doruntinë Cana.
Rekrutët të cilët sot u certifikuan dhe bënë betimin për shërbim janë gjenerata e parë për vitin 2019. Gjithsejtë 337 rekrutë, prej tyre 52 të gjinisë femërore dhe 22 pjesëtarë nga radhët e komuniteteve jo shumicë.