Shkrimtari Avni Dehari laureohet me çmimin special ‘’Jehona e 11 Marsit’’
Më 11 mars 2022, në Kumanovë u mbajt edicioni i 30-të i manifestimit tradicional letrar “Takimet Poetike të Karadakut”, organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”. Manifestimin e shpalli të hapur kryetari Fatos Rushiti, i cili mes tjerash tha se ky 30 vjetor na gjen në një atmosferë krejtësisht tjetër nga rrethanorët politik aspak të favorshëm që ishin në vitin e largët 1992 kur u themelua klubi, e ku pa dyshim meritën kryesore e kishte poeti i ndjerë, kryetar i parë Fadil Bekteshi.
‘’Ishte letërsia, ishte dashuria për vetë poezinë, ishte ideali dhe këmbëngulja e pakompromis e disa intelektualëve relativisht të rinj në moshë si Fadil Bekteshi, Nehas Sopaj, Bejtush Mehmeti, Burhanedin Xhemaili, dhe disa të tjerë, që morën guximin të themelojnë njërin nga klubet e para të shkrimtarëve në Maqedonisë me emër shumë simbolik ‘’Jehona e Karadakut’’. E them guximin sepse në atë kohë, ndonëse ishim në pluralizëm formalisht por brendësisht sistemi politik i kohës nuk e dëshironte intelektualizmin shqiptar, nuk i përballonte poetët dhe romansierët e rinj të botoheshin lirshëm dhe të vepronin lirshëm në gjuhën shqipe’’, theksoi Rushiti.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm u nda çmimi special ‘’Jehona e 11 Marsit’’, për shkrimtarin dhe veprimtarin e çështjes kombëtare Avni Dehari, i cili siç u cek në recensionin e komisionit vlerësues, ishte njëri nga promotorët kryesor të të gjitha ngjarjeve që lidhen me qëndresën më të re kombëtare të viseve tona.
Pas orës së madhe letrare, tradicionalisht u ndan dhe çmimet letrare, ‘’Fadil Bekteshi’’, ku me Çmimin e parë u laureua poeti i njohur nga Presheva Bilall Maliqi, me çmimin e dytë poetja nga Korça Gerta Bandilli, ndërsa me çmimin e tretë poeti nga Tetova Daim Ilazi.
Kryesia e klubit ndau plaketa post mortum për shkrimtarët Fadil Bekteshi, Zejadin Ismaili, Rahim Ganiu, Nuri Rexhpi-Dana, Fehmi Zulfiu, si dhe për Vaid Saiitin – ish kryetarin e Komunës së Likovës.
Plaketa u ndanë për shkrimtarët Bejtush Mehmeti, Nehas Sopaj, Burhanedin Xhemaili, Ismail Ganiu, Sunaj Raimi, Arben Ibrahimi, Selajdin Shabani dhe Sevdail Demiri. Mirënjohje u ndan për shkrimtarët Mumin Zeqiri, Nehat Jahiu, Zejnure Salihu, Hajrullah Misini, dhe të tjerë me tyre afaristë, intelektualë kumanovarë dhe media që ndër vite ndihmuan në zhvillimin dhe afirmimin e Klubit.
Poetët pjesëmarrës në Orën e madhe letrare ishin: Flora Brovina, Mexhit Mehmeti, Ejup Ajdini, Bilall Maliqi, Alketa Spahiu, Nexhat Rexha, Enkelejda Mitrollari, Ismail Baftjari, Nexhat Çoçaj, Arben Rashkaj, Sinan Sadiku, Gerta Bandilli, Gurali Spahillari, Istref Haxhilleri, Arben Ibrahimi, Daim Ilazi, Adem Abdullahu, Selvete Abdullahu, Xhemë Karadaku, Bajramali Selimi, Shefqete Gosalci, Begzad Rrahmani, Avni Shaqiri, Rexhep Abazi, Selajdin Shabani, Sunaj Raimi, Mejrem Kajolli-Tusha, Bajram Ramadani, Hysen Kqiku, Arsim Halili, Ali Qerimi, etj.
Manifestimin e nderuan me fjalë përshëndetëse ministri i Administratës Publike dhe Shoqërisë Informatike Admirim Haliti, kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitriveski, kryetarja e Klubit të Shkrimtarëve “Oeneum” nga Tetova Behare Neziri, kryetari i Klubit letrar “Bota e Re” nga Korça Eris Rusi, nga Klubi letrar “Beqir Musliu” i Gjilanit dhe “Nositi” nga Kamenica – poeti Nexhat Rexha, dhe nga klubi letrar i Prizrenit – Nexhat Çoçaj. Manifestimi i sivjetshëm u mbështet nga Komuna e Kumanovës, dhe pjesërisht nga Komuna e Çairit, e Likovës, e Gostivarit dhe afaristë vendor.
Gjatë manifestimit u shfaq edhe dokumentari i përgatitur nga gazetari Nexhat Aqifi kushtuar veprimtarisë 30-vjeçare të këtij klubi.
Për pjesën muzikore – artistike u kujdes Jehona Shaqiri, ndërsa manifestimi u moderua nga aktori e poeti Ali Qerimi. /2LONLINE/