106 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë apo fitimi i lirisë për një pjesë të shqiptarëve vazhdon të i gjej shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri më të dobët dhe më të pa shpresë se kurrë.
Shkruan: Liridon RAMA
Shkruaj me shkas që të shpreh mendimin personal dhe të shumë miqve të cilët kanë vite nuk kanë shkas të “festojnë” apo të “gëzohen” për datën 28 Nëntor, ngase rrethanat sociale e bëjnë të pa mundur festën.
Sigurisht është e krejt e kuptueshme të festohen datat e caktuara historike të cilat kanë qenë përcaktuese për ngjarje të rëndësishme dhe njëkohësisht edhe për themelimin e shteteve, e sigurisht dhe kjo e shtetit të Shqipërisë nuk bënë asnjë përjashtim. Në vitin 1912 – më në fund ishte themeluar një shtet i një kombi që ishin Shqiptarët. Me mbështetjen e shumë aleatëve të asaj kohe, populli shqiptar i ndarë në shumë pjesë arriti ta shpall pavarësinë.
Shteti i Shqipërisë u krijua se kështu deshën forcat e mëdha të asaj kohe sic ishin Austro-Hungaria, Anglia, Italia, Franca, Gjermania etj, dhe kjo ishte me shkas që për një periudhë të ndaleshin luftërat ballkanike të asaj kohe, që sigurisht u vazhduan me invazione dhe lufta të tjera.
Për të kujtuar më qartë – Vilajeti i Kosovës në vitin 1912 ishte lënë nën pushtetin e serbëve të asaj kohe duke shkaktuar një padrejtësi jo të rrallë historike.
Kujtuar fazat historike të ndryshme gjatë viteve 1900-2018, është për t’u befasuar me dështimet e popullit shqiptar për të materializuar një shtet normal i cili do të arrinte që fazat historike të i kalonte me më pak dhimbje, humbje, dështime dhe me më shumë fitore, siguri dhe të ardhme.
Duke qenë krejt racional – duhet të pranojmë se pas asaj ngjarje historike, shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte dhe një sukses totalisht i mbështetur dhe fuqizuar nga shtetet e fuqishme evropiane dhe botërore.
Por 106 vite më vonë shqiptarët assesi ta gjejnë vetën në librat e historisë si rezultat suksesi por gjithmonë si histori dështimi dhe neglizhimi.
Përkundër që tani janë dy territore ku mund të flitet gjuha shqipe lirshëm dhe mund të punohet për të mirën e shqiptarëve, ne kurrsesi s’po arrijmë të ndërtojmë profile të shteteve me të cilat vërtetë duhet krenuar.
Prandaj dhe vendosa të shkruaj lidhur me festën e 28 Nëntorit, e cila feste në Kosovë për diku 24 orë ndryshon “gjendjen e komës” në të cilën gjendemi si shoqëri dhe e bën atë të duket sikur gjendje normaliteti.
Marrë parasysh mjerimin social që po jetësojmë në dy vendet shqipfolëse, dyshoj se duhet te ketë kaq shumë feste për një popull që përgjatë historisë ka përjetuar asgjë më shumë se izolim dhe asnjëhere zhvillim të qëndrueshëm.
Personalisht prirem të besoj se një popull që edhe pas më shumë se 106 vitesh ka arsimim kaq të dobët, shëndetësi kaq të pashëndetshme, siguria kaq fragjile, emigracion kaq hemorragjik, kulturë me kaq pak vlera – arsye për festë madhështore nuk duhej të ketë, por reflektim mbi gjendjen e saj do të duhej të ketë.
Uroj që pas një periudhe kohore jo shumë të largët, shqiptarët kudo në botë të kenë arsye të ndihen krenar dhe jo të poshtëruar sikur se janë deri tash.
Po e mbyll me një thënie të Faik Konicës për Shqiptarët,
“Shtetet, sikurse njerëzit, lindin, rriten dhe vdesin, – dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet… Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët…”.