Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me drejtorët komunal e zyrtarët e tjerë, kanë bërë homazhe me rastin e 23 vjetorit të rënies heroike të Rahim Beqirit-Komandant Roki.
Në fshatin Kopërnicë e tek varrezat e dëshmorëve në Kamenicë u vendosen kurora me lule për të nderuar jetën dhe veprën e Komandant Rokit për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
Kryetari Rahimaj, gjatë këtyre homazheve me një fjalë rasti është shprehur se një luftëtar e trim si Komandant Roki na bënë krenar të gjithëve.
“Sot jemi mbledhur për të kujtuar jo vetëm sakrificën dhe heroizmin e Komandant Rokit por edhe vlerat dhe idealet për të cilat ai luftoi”, theksoi po ashtu Kryetari Rahimaj.
Në këtë ditë përkujtimore, familjarë, miq e shumë bashkëluftëtarë mes lotëve e fjalëve të ngrohta ndanë përjetimet e luftës duke dëshmuar trimërinë dhe kontributin e pashoq që Rahim Beqiri dha për lirinë e çlirimin e vendit.
Në fund, me shumë krenari, familja e Komandant Rokit, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të lirisë! /2LONLINE/