Në 20 vjetorin Betejës së Zhegocit, përvejtor jubilar, përveç evenimenteve tjera të shumta u përuruan edhe bustet e dy dëshmorëve të Anamoravës e gjithë shqiptarisë, Tefik e Hanumshahe Zymberi.
Shkruan: Ismet Tafili
Tani e tutje sheshi “Nushi e Tefiku në lagjen |Dardania –I-, një ambient të bukur, pranë çerdhes së fëmijëve, që aq shumë i deshën ata, e hapësirës sportive, do të shkëlqejnë edhe bustet e dy dëshmorëve, Tefik e Hanumshahe Zymberi.
Ky vend, këto hapësira, në vitin 1989 dhe 1990 ishte i mbushur plot me të rinj e të reja që protestonin, kundër suprimimit të autonomisë, terrorit e dhunës së pushtetit serb mbi shqiptarët, ku pjesëmarrës ishte edhe Tefik Zymberi, i cili jo vetëm që shihej në çdo cep të kësaj lagjeje duke protestuar, por edhe duke u dhënë zemër protestuesve që të mos shpërndahen, që të mos largohen prej njëri tjetrit.
Këtu edhe helikopteri serb kishte shtënë mbi protestuesit por ishte larguar, pasi dikush nga protestuesit kishte shtënë të.
Gjithashtu, po në këtë vend në prag të çlirimit, paramilitarët serb kishin hedhur granata, për të vrarë shqiptarë e për të krijuar panik, në mënyrë që të largohen të gjithë banorët nga Gjilani, por as kjo nuk i kishte frikësuar.
Po ky shesh, më 15 qershor ishte vendi i parë ku u rreshtuan ushtarët e UÇK-së, të Zonës Operative të Karadakut, është, së bashku me banorët e Gjilanit para taë cilëve u mbajt fjalimi i parë në liri.
Pra, në këtë vend përpjekjesh të gjilanasve për të mbijetuar, për të mos lëshuar vatrat e tyre, mu në këtë arenë krismash e erës së barotit, mu në këtë vend ku erdhi liria, përveç çerdhes, ku do të rriten filizat e një peme të madhe që do të jap fryte në vazhdimësi, e përveç qendrës sportive, ku do të argëtohen e kaliten të rinjtë tanë për beteja të reja të zhvillimit e mbrojtjes së Kosovës, do të rrinë krenarë e do të bëjnë roje dy buste e dy dëshmorëve: Tefik e Hanumshahe Zymberi.
Këtu qytetarët e nxënësit do të vijnë, jo vetëm për vizitë momentale e homazhe, por edhe për të dëgjuar historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Karadakut, të Betejës së Zhegocit e Marecit e betejave tjera.