Në korrikun e vitit 2012 në Konolfingen, një qytezë afër Bernës pati ndodhur një krim, me ç`rast një shqiptar nga Maqedonia kishte shtënë disa herë me armë mbi një shqiptar nga Kosova. Vetëm rastësia e ka shpëtuar viktimën nga vdekja e sigurt, por duke e lënë të paralizuar atë për gjithë jetën. Ngjarja ka marrë epilogun e saj gjyqësor të premten, me një vendim që ka marrë Gjykata regjionale Bern-Mittelland, për heqje lirie në kohëzgjatje prej 15 vitesh për veprën penale tentim vrasjeje.
Gjykata, personin tashmë të dënuar e ka gjetur fajtor për tentim vrasjeje edhe të një personi tjetër të përfshirë në konfliktin e korrikut të vitit 2012. Ai kishte provuar të ndërhyjë në konfliktin në mes të d personave.
Ndërkaq delikti kryesor e përmbush figurën e vrasjes së rëndë që ka mbetur në tentativë. Dorasi ka vepruar në mënyrë brutale dhe gjakftohtë. Personit të cilin e ka plagosur dhe e ka lënë të shtrirë në sheshin para stacionit të trenit, ka shkuar dhe ia ka marrë portofolin dhe celularin nga xhepi dhe sërish e ka qëlluar me armë në kokë nga afërsia e drejtpërdrejtë. Vetëm falë ndërhyrjes emergjente operative, viktima ka mbijetuar, shkruan bernerzeitung.ch, të cilës i referohet albinfo.ch Por, ai është i paralizuar dhe vuan nga dhimbje të rënda.
Konflikti në mes të dy shqiptarëve ka ndodhur si pasojë e një llogarie të pasqaruar lidhur me shitblerjen e një veture. Dorasi, që ka qenë blerësi, i ka mbetur borxh viktimës për pjesën më të madhe të shumës prej 14 mijë frangash sa ka kushtuar vetura.
Pala paditëse ka kërkuar 18 vjet burg për veprimin, siç e ka cilësuar ajo, kriminel dhe të paskrupullt. Ndërsa avokati mbrojtës ka kërkuar 7 vjet burg për tentim vrasjeje me paramendim.
Në fund, trupi gjykues, pasi ka peshuar të gjitha rrethanat, e ka shpallur dënimin prej 15 vjet heqje lirie. Një vit i është hequr për shkakun se viktima megjithatë ka shpëtuar nga vdekja ndërsa dy vite për shkakun se dorasi ka qenë nën presionin e vazhdueshëm të personit të plagosur dhe ndërmjetësit.