Sulmet ajrore në provincën veriore të Kunduzit në Afganistan kanë lënë të vrarë 13 civilë të shtunën. Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarët lokalë.
Trupat e personave të vrarë janë sjellur në qytetin e Kunduzit përmes një kamioni si pjesë e një proteste nga qindra civilë.
Vrasjet ndodhën gjatë përleshjeve mes forcave qeveritare dhe talibanëve. Raportohet se të dyja palët kanë humbur shumë luftëtarë në këto luftime.
Gjatë vitit të kaluar është shënuar rekord i civilëve të vrarë përmes sulmeve ajrore në Afganistan, ndërsa rritje është shënuar edhe në numrin e vrasjeve përmes shpërthimeve. Këto statistika janë publikuar në muajin shkurt nga Kombet e Bashkuara.