“Gjendje e rëndë e punëtorëve në sektorin privat”

“Gjendje e rëndë e punëtorëve në sektorin privat”

/Fjalimi i deputetes Besa Baftiu në seancën e Kuvendit të Kosovës për shkeljen e të drejtave të punëtorëve/

Aspirata për të mbrojtur dinjitetin e punëtorit në të gjitha sektorët paraqet thelbin e konceptit për të mbrojtur edhe të drejtat e njeriut. Kjo aspiratë duhet të vë qenien njerëzore në qendër të interesit.

Besa Baftiu

Ekziston e ashtuquajtura rregull e artë sipas së cilës njeriu duhet të trajtojë të tjerët ashtu siç dëshiron ta trajtojnë vetë atë. Por, sa po trajtohen drejtë punëtorët në sektorin privat nga ana punëdhënësve kjo është larg kësaj thënie dhe asaj që i obligojnë një sërë ligjesh që janë në fuqi e që rregullojnë këtë fushë.

Meqenëse shkelja e të drejtave dhe diskriminimi i punëtorëve në sektorin privat është shumë i madh ashtu siç edhe u tha nga shumë deputetë, unë diskutimin tim e kam fokusuar në shkeljen e të drejtave dhe diskriminimin që po ju bëhet punëtorëve në kompanitë private në sektorin e pastrimit, të mirëmbajtjes, sigurisë, kuzhinës në institucionet publike shëndetësore.

Të gjithë e dimë se këto sektore kanë qenë shërbime në kuadër të institucioneve shëndetësore publike e ka disa vite që këto shërbime që kanë qenë në kuadër të spitaleve janë privatizuar e nga privatizimi kanë përfituar vetëm pronarët dhe individ që janë përfshirë në këtë proces ndërsa janë punëtorët ata që po ju shkelen të drejtat që ju garanton ligji i punës dhe kontrata që ata nënshkruajnë në fillim të punësimit.

Çka është më e keqja ndonëse të gjitha Spitalet e përgjithshme janë nën ombrellën SHSKUK-së këto shërbime në disa spitale janë privatizua e në disa spitale janë në menaxhim të spitalit, po ashtu në të njëjtin Spital ka punëtorë që kryejnë të njëjtin shërbim, por që kuptohet ata që janë të afërm me menaxhmentin marrin pagë nga Spitali ndërsa të tjerët janë me kompaninë private.

Diskriminimi qëndron në atë se punëtorët qofshin të sigurimit, të pastrimit, mirëmbajtës, të kuzhinës nuk paguhen sikurse ata që marrin pagë prej Spitalit e bëjnë të njëjtën punë, këtyre punëtorëve nuk ju paguhet trusti pensional, nuk ju paguhen festat, puna e natës, stazhi i punës, puna jashtë orarit etj.

Shembull, një punëtor i pastrimit që punon në spital që është në kuadër të kompanisë private deri para pak muajsh ka marrë pagë 170 euro tani kanë pagën 205 euro, ndërsa punëtorët e pastrimit që janë në kuadër të spitalit marrin pagë 280 euro plus ju paguhet puna e natës festat, trusti. Dallime të tilla ka në sektorët tjerë.

Por ajo çka është me rëndësi nuk kemi dallime në shërbime bile në disa spitale ku këto shërbime janë me pjesën publike, ka pas pastërti dhe rregull më të mirë këtë e kemi parë dhe na e kanë thënë drejtorët e Spitaleve të përgjithshme gjatë vizitave që e kemi bërë si komision i shëndetësisë gjatë monitorimit të ligjit për shëndetësi.

Këta punëtorë, ndonëse trajtohen shumë herë edhe si skllav, nuk kanë guximin të i kërkojnë të drejtat e tyre që ju garanton ligji i punës apo kontrata e punës, sepse po u ankove, dihet se automatikisht e humb vendin e punës, pastaj nuk kanë ku të ankohen sepse kemi mos organizim të sindikatave të punëtorëve privat, kemi sistem gjyqësor të kapur.

Edhe atëherë kur ju drejtohen menaxhmentit të Spitaleve apo zyrtarëve ligjor, përgjigjja e tyre është se ne nuk kemi kompetenca dhe se gjithkund në kompanitë private punëtorët trajtohen në këtë mënyrë, pra në vend që t’i inkurajon që këta punëtorë të kërkojnë të drejtat e tyre që ju takojnë me ligj, ata në njëfarë mënyre i dekurajojnë dhe frikësojnë punëtorët se mund të humbin vendin e punës.

Është shumë qartë se pse ndodh kjo kur dihet se edhe në Ministrinë e Shëndetësisë që është përgjegjëse për politikat dhe organizimin në sistemin shëndetësorë nuk janë të interesuar për t’i zgjidh këto padrejtësi sepse janë vetë MSH që ka bërë dhe bënë padrejtësi të mëdha sa i përket punësimit, ndarjes së specializimeve, ku dihet se kriteret për punësim dhe marrjen e specializimeve janë të jesh militant i partisë politike që është në qeverisje.

Prandaj ky debat sot që e kanë inicua deputetët që vinë nga subjekti i cili është një ndër shkaktarët kryesor të kësaj gjendje të rëndë të punëtorëve në sektorin privat sepse privatizimi egër është përkrahur po nga këta, atëherë kjo lenë të kuptoj se po bëjnë për fushatë.

Por punëtorët por jo vetëm ata e tanimë e kanë të qartë se nuk do të mashtrohen ashtu siç u mashtruan tash e sa vite përkrahin ato subjekte që i kanë sjellë në këtë gjendje, sepse privatizimi në përgjithësi në Kosovë ka qenë proces i dështuar sepse nga ky proces kanë përfituar vetëm pronarët dhe individët që janë të përfshirë në këto afera.

Prandaj në Lëvizjen Vetëvendose nuk e kemi vetëm të bëjmë fjalë në kuvend, por ne kemi në programin tonë në Alternativën qeverisëse se ne do të angazhohemi të kemi një vlerësim gjithëpërfshirës të procesit të deritashëm.

Secili proces i privatizimit që rezulton në gjykatë si i parregullt me shkelje ligjore si rezultat i korrupsionit apo i mosrespektimit të kontratës dhe legjislacionit do të zhbëhet.

KOMENTE