Komuna e Gjilanit në organizimin e saj në shënim të 22 vjetorit të Epopesë së lavdishme të familjes Jashari, ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve, ku kishte një pjesëmarrje të gjerë institucionale në nivelin lokal në nderim të dëshmorëve të rënë në luftën për liri dhe respektin për familjet e tyre.
Në fjalën e rastit, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini ka thënë se epopeja e Jasharajve është epokë historike sepse ky moment është fillimi i lirisë për shqiptarët e Kosovës dhe shtetin më të ri.
Ajo ka thënë se Komuna e Gjilanit me kryetarin Lutfi Haziri është e vendosur të respektoj maksimalisht heronjtë dhe të gjithë të rënët në luftën për liri, sepse ata dhe familjet e tyre janë më meritorët për lirinë dhe shtetin që sot e kemi.
“Familja Jashari dhe gjithë dëshmorët e kombit do të ngriten gjithmonë në piedestalet më të larta të vendit tonë. Jemi duke punuar në vazhdimësi me të gjitha kapacitetet tona që amanetin e tyre ta çojmë në vend dhe atë me punë të ndershme, me përkushtim, respekt dhe shërbim të mirë ndaj të gjithë qytetarëve”, ka thënë ajo.
E nga ana e tij ish komandanti i ZOK, Ahmet Isufi, ka thënë se marsi shënon epopenë e lavdishme të Jasharajve, konkretisht daljen e gjithë familjes në front me forcat serbe.
“Kjo familje është themeli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është amaneti i të gjithë neve për të ecur përpara dhe sakrifica më e madhe njerëzore e Jasharajve që mund të ndodhë, sepse një familje e tërë është shkri për lirinë e atdheut”, ka thënë ai.