Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Gjilan, nën udhëheqjen e nënkryetarit, Arbër Ismajli, ka mbajtur takimin për vlerësimin e situatës për dy ditët e fundit.
Paraprakisht, Komiteti e ka nisur mbledhjen me një minutë heshtje në nderim të kontributit të jashtëzakonshëm të zyrtarit komunal, njëherësh anëtar i këtij Komiteti, Ymer Demolli, i cili dje e humbi betejën me COVID-19.
Nënkryetari Ismajli e ka vlerësuar lartë angazhimin e Demollit në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili për dy dekada shërbeu në mënyrë profesionale në cilësinë e zyrtarit për planifikim emergjent.
Ndërkohë, nënkryetari Ismajli ka njoftuar se aktualisht 72 qytetarë të Gjilanit janë duke u trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm, ndërkaq njoftoi se 624 raste janë aktive.
Ai ka apeluar të gjithë qytetarët që t’i respektojnë masat kundër përhapjes së COVID-19.
Pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 19399 mostra, 5938 kanë rezultuar pozitivë, 5185 janë shëruar, 129 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 624 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 72 persona, 64 prej të cilëve me oksigjeno-terapi dhe 171 mostra në pritje për rezultat.