Ndihmës trajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti dhe menaxheri Bajram Shala kanë mbajtur konferencë për shtyp, për të shpalosur detajet e ndeshjes miqësore me Suedinë, e cila do të zhvillohet më 12 janar në Doha.
Para këtij ballafaqimi, Kosova do të mbajë për disa ditë stërvitje në Katar. Shala ka komentuar edhe spekulimet se Kosova do ta zhvillojë atje edhe një miqësore tjetër.
“Do t’i kemi 4 stërvitje. Për shkak të kushteve klimatike është shumë vështirë të punohet këtu dhe stërvitjet do të zhvillohen në Katar. Ka kontakte për të zhvilluar edhe një ndeshje miqësore , po nëse zhvillohet ndeshja tjetër do të jetë me 16 janar po njëherë e konfirmuar është vetëm ndeshja me Suedinë”, shtoi Shala.
Ndërsa, ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, tha se kjo ndeshje miqësore po vjen në një kohë të papërshtatshme, mirëpo se Kosova nuk e ka luksin t’i refuzojë klubet.
“Kemi organizuar këtë ndeshje dhe do të jetë shumë e mirëseardhur edhe pse është një kohë e papërshtatshme se disa janë në pushime por nuk kemi mundur me e refuzu këtë ndeshje. Tash jemi duke punuar rreth grumbullimit se cilët lojtarë do të na bashkohen”, tha Sahiti.
“E para nuk është datë e UEFA dhe vështirë është të grumbullohen lojtarët e grupit A, por jemi duke bisedua me disa lojtarë që i kemi në shtetet skandinave dhe këto ditë po presim se cili lojtar do të na bashkohet nga jashtë. Çdo ndeshje miqësore është e rëndësishme dhe gjithmonë përvoja përfitohet kur ke eksperienca me skuadra të forta”, përfundoi Sahiti.