Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka dënuar hyrjen me dhunë, siç thuhet, të qytetarëve në stacionin e Policisë së Kosovës në Zubin Potok që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00. Kjo zyrë ka apeluar tek qytetarët të ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, të cilat në këto momente janë më se të nevojshme.
“Çdo përdorim i dhunës i shkaktuar nga serbët gjithmonë do të shfryttëzohet si arsyetim për sulm kundër popullatës serbe dhe pasurisë së tyre”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga kjo zyrë.
Kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, ka thënë se banorët lokalë mbrëmë kanë depërtuar me dhunë në stacionin e policisë në këtë qytet dhe e kanë liruar personin, Sllobodan Sovërliq, i cili më herët gjatë ditës, ishte paraburgosur për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, njofton RTK.
Vulloviq, tha se disa makina të EULEX-it ishin tërhequr nga ky qytet. Ai e ka përshkruar situatën e mëpastajme si të qetë dhe tha se qytetarët, që e kishin bllokuar stacionin e policisë së Kosovës në Zubin Potok, ishin shpërndarë.
Stevan Vulloviq ka thënë se pjesëtarët e policisë së Kosovës janë në kërkim të të paraburgosurit të ikur, Sllobodan Sovërlliq. Raportohet se ka pasur dëme materiale.