Zyra e Kryeministrit, nëpërmjet Zyrës për Çështje të Komuniteteve, ka mbajtur sot konferencën për promovimin e punësimit multietnikë në institucione. Në këtë konferencë të pranishëm ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës, Emilija Redžepi, Këshilltarja për Çështje të Komuniteteve e Kryeministrit, Elizabeth Katherine Gowing, dhe Zëvendësshefja e misionit të Ambasadës Norvegjeze, Jenny Stenberg.
Në fjalën e tij hyrëse kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që ishte në këtë konferencë që siç tha ai, pasqyron diversitetin tonë të pasur dhe të ardhmen e institucioneve tona. Njëkohësisht kryeministri falënderoi Ambasadën e Norvegjisë në Kosovë për përkrahjen e madhe që i ka dhënë Zyrës për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, për programin e praktikantëve gjatë këtij viti dhe gjatë viteve të kaluara.
‘’Duke angazhuar 100 praktikantë të rinj, me prioritet të rinjtë nga komunitetet joshumicë, së bashku kemi mundësuar praktika për të rinjtë nga të gjitha komunitetet’’, theksoi kryeministri Kurti i cili po ashtu shprehu kureshtjen që të dëgjonte nga praktikantët për përvojat nga praktika duke shpresuar që kanë mësuar gjëra që mund t’ju shërbejnë për karrierën e tyre të mëtutjeshme profesionale.
Praktikantët e programit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, treguan për rrugëtimin e tyre dhe mundësinë që të jenë pjesë e kësaj zyre, derisa falënderuan kryeministrin për hapësirën dhënë atyre për t’u bërë pjesë e institucioneve të vendit.
“Ju siguroj që do ta keni përkrahjen time për fillim të mbarë të karrierave tuaja profesionale brenda institucioneve tona. Sepse këto institucione nuk janë të qeverisë por janë tuajat dhe ju në këto institucione jeni në shtëpinë e juaj dhe ju nuk i përkisni vetëm një komuniteti të veçantë por i përkisni profesionit të cilin do ta ushtroni me zell dhe pa pengesa në vendin tuaj të punë” u shpreh ndër të tjerash, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. /2LONLINE/