DYLON

Kryeministri Kurti e priti në takim deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi

Kryeministri Kurti e priti në takim deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi
Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, pritën në takim deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë dhe kryetarin e Partisë së Veprimit Demokratik, z.Shaip Kamberi, ish-kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani dhe kryetarin e Komunës së Bujanocit, z.Nagip Arifi.

Kryeministri Kurti e uroi z. Kamberi për zgjedhjen deputet në Kuvendin e Serbisë, pas shumë pengesave e sfidave me përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimin në fshatin Tërnoc të Bujanocit. Ai shprehu besimin që z. Kamberi, sikurse edhe në mandatet e kaluara do të vazhdojë të përfaqësojë me dinjitet shqiptarët dhe se do ta ketë përkrahjen e vazhdueshme nga ai personalisht, por edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës.

EkoHigjiena

Deputeti Shaip Kamberi ia shprehu kryeministrit Kurti mirënjohjen dhe falënderimin për përkrahjen e vazhdueshme publike që i ka dhënë këmbëngulësisë së tij për përfaqësim dhe përkrahjen konkrete që po u jep shqiptarëve në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc. Në veçanti e falënderoi për vendimin në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndarjen e 255 mijë eurove për sigurimin e teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë të këtyre tri komunave.

Duke diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në përgjithësi në tri komunat, Medvegjë, Preshevë e Bujanoc dhe politikave diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kryeministri tha se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë, por domosdoshmëri e kohës. Prandaj, ai kërkoi koordinim e angazhim edhe më të madh, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare.

Takimi i sotëm është në vazhdën e takimeve që kryeministri Kurti mban me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.