“Mr. Bricolage”, kompani franceze hap përfaqësi në Kosovë. Shoqëruar nga ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert, drejtori rajonal i kompanisë “Mr. Bricolage”, Goce Markov, u takua me zëvendëskryeministrin, njëherësh ministrin e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.
Z.Markov tregoi përvojën e tij të investimeve në shumë vende të botës, veçanërisht në Maqedoni dhe Bullgari. Ai theksoi se janë të interesuar të hapin rrjetin e dyqaneve dhe brendeve të kompanisë “Mr. Bricolage” edhe në Kosovë. Z.Markov theksoi se tashmë kanë filluar identifikimin e vendeve, si në zonën e Veternikut dhe në Fushë-Kosovë, për t’i filluar investimet dhe hapjen e rrjetit të brendeve të kësaj kompanie.
Në këtë takim, zëvendëskryeministri Gashi i informoi ambasadorin francez dhe z. Markov për rëndësinë e procesit të investimeve strategjike, në veçanti për formën që duhet ta ndjekin bizneset franceze për ta fituar statusin e investitorit strategjik.
Po ashtu, ministri Gashi prezantoi mundësinë që ka Kosova për kompanitë franceze dhe rolin që Qeveria e ka në këtë proces të kualifikimit si investitor strategjik, në veçanti rreth procedurave të lehtësuara që duhen ndjekur, tarifat doganore dhe çështjen e taksave.
Ambasadori z. Chabert, duke falënderuar zëvendëskryeministrin për pritjen, njoftoi se kompanitë franceze kanë interesim për Kosovën dhe këtë vit, në kuadër të Javës frankofone, në Prishtinë do të mbahet një takim vetëm me kompani franceze, të cilat do të mund të njihen nga afër me sektorët strategjikë, mundësitë që ofron Kosova dhe procedurat e kualifikimit si investitor strategjik..
Zv.kryeministri Gashi shprehu gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë në prezantimin e procedurave dhe formën e aplikimit.