Do të departiakizojmë jetën kulturore dhe artistike në Komunën e Gjilanit, duke mos përfituar projekte vetëm artistët mbështetës të partive në pushtetin lokal, duke mos rekrutuar artistë në pozita të rëndësishme të menaxhimit kulturor, vetëm se ekspozohen publikisht drejt partive në pushtet.
Ndalja e hakmarrjes ndaj artistëve si kritikë të pushtetit, duke mos ua reduktuar shumat e projekteve kulturore ose duke i përjashtuar nga përfitimi prej taksave të qytetarëve, dhe do të përfitojnë të gjithë aplikuesit në përputhje me kriteret e hapura publike, çdo artist e artiste, shoqatë e organizatë joqeveritare kulturore, pavarësisht nëse kritikon përmes artit ose ndonjë forme tjetër të pranueshme demokratike, pushtetin komunal. Do të krijojmë një mjedis të përshtatshëm për shprehje të lirë të kritikës ndaj qeverisjes lokale, pavarësisht nëse është artist, komunitet artistik, ose qytetarë.
Do të mbështeten të gjitha llojet e arteve, e jo kultura dhe arti të jetë sinonim i vetëm me teatrin, duke anashkaluar të gjitha format e tjera kulturore e artistike.
Do të mbështeten në forma të ndryshme, gjatë publikimit të thirrjeve publike, çdo lloj i artit, duke filluar nga artet pamore (vizatimi, piktura, skulptura, fotografia etj.), artet letrare (tregimi, drama, poezia, proza etj.), artet skenike ose interpretuese (vallëzimi, muzika, teatri).
Mbështetja e Teatrit të qytetit dhe përpjekjet për të mbështetur përmes thirrjes publike, edhe performancat teatrore alternative në hapësirat publike, duke iu ofruar më afër qytetarëve dhe artdashësve, si dhe duke krijuar frymë kulturore gjithandej Komunës së Gjilanit.
Do të promovojmë Ligjin Për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke përkrahur trajnime për artistët e sportistët gjilanas, në mënyrë që të përfitojnë nga ligji në fuqi, si dhe mbështetjen në krijimin e partneriteteve me bizneset në komunë, për të bashkëpunuar dyja palët, në përputhje me Ligjin për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ndarja e çmimeve për artistët do të jetë me juri profesionale, jopartiake, me kritere të hapura publike të vlerësimit dhe transparencës.
Do të reformojmë mënyrën e organizimit, ndarjen e çmimeve, kriteret dhe të gjitha format e tjera për ekspozitat në kuadër të Flakës së Janarit, Sallonit Vjetor dhe 28 Nëntorit, duke i kushtuar rëndësi motiveve kombëtare, pasi që qëllimi i tyre ka qenë që në fillim, promovimi i vlerave kulturore mbarëkombëtare, ndërsa me ngjarje të tjera e të reja, do të krijojmë mundësi për promovim të vlerave mikse, kombëtare e ndërkombëtare, apo veç ndërkombëtare.
Gjilani nuk do të mbetet vetëm me tri-katër ekspozita në vit, me qindra artistë të talentuar, por së paku, do të ketë dyfishim të tyre brenda vitit kalendarik.
Organizimi i një ekspozite me artistë bashkëkohorë nga mbarë Kosova dhe vende të ndryshme të botës, duke kërkuar mbështetjen financiare edhe nga donatorë lokalë e të huaj, në mënyrë që të kultivohet jo vetëm arti tradicional, por edhe arti bashkëkohor.
Zyra për Informim e PDK-së, Gjilan
/Hapësirë e rezervuar për fushatë/