1. Do të ketë pjesëmarrje dhe gjithëpërfshirje të fëmijëve në institucionet edukativo – arsimore, në pajtim me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, si dhe standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtën për arsim për të gjithë.
2. Do të ketë menaxhim efikas dhe llogaridhënie në sistemin arsimor të Komunës së Gjilanit.
3. Do të ketë zhvillim dhe aftësim profesional në harmoni me tregun e punës.
4. Do të krijojmë një mjedis miqësor, të shëndetshëm dhe të sigurt për të gjithë fëmijët në çerdhe, kopshte e institucione parashkollore e shkollore.
5. Do të bëjmë investime kapitale dhe stimulime për arritje të veçanta.
6. Konkurset publike do të shpallen sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi dhe nuk do të lejohen praktika të shpeshta të anulimit e rishpalljes së tyre.
7. Rekrutim profesional të mësimdhënësve, qoftë për zëvendësime, qoftë për staf të rregullt, pa ndërhyrje partiake e politike, nepotiste e të formave të konfliktit të interesit.
8. Testet për rekrutimin e edukatorëve dhe mësimdhënësve në institucionet parashkollore dhe shkollore, do të bëhen me standarde profesionale, pa përgjigje mekanike dhe pa pyetje mekanike për kurrikulën e arsimit parauniversitar. Kurrikula mësohet me trajnime për të gjithë mësimdhënësit. Do të ketë pyetje profesionale për aplikimin në vendin gjegjës të punës arsimore.
9. Kontrabandimi i testeve të rekrutimit të mësimdhënësve para testimit e intervistës për aplikuesit militantë partiakë e familjarë, do të luftohet me mjete ligjore.
10. Komisionet e rekrutimit të mësimdhënësve dhe edukatorëve, nuk do të pengohen në punën e tyre vlerësuese dhe ndërhyrja e politikës në këto komisione për rekrutim, qoftë nga Kryetari e Nënkryetari i Komunës, qoftë nga Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, do t’i takojnë të shkuarës.
11. Drejtorët e shkollave fillore e të mesme të Komunës së Gjilanit, pavarësisht se nuk janë me poste politike sikurse janë drejtoritë komunale, që vijnë nga emërimi dhe shkarkimi prej Kryetarit të Komunës, nuk do të jenë më partiakë se vetë drejtorët e drejtorive komunale. Postet e drejtorëve të shkollave janë profesionale, me konkurs publik dhe do të departiakizohen në tërësi, për dallim nga postet e drejtorive komunale që janë poste politike.
12.Do të përpiqemi ta funksionalizojmë shkollën shumëmilionëshe të bujqësisë, i financuar nga danezët, pasi dështimi i saj është skandali më i madh i dy mandateve të fundit të kryetarit aktual. Para 5 vjetësh, shkollës së mesme teknike “Mehmet Isai”, i ishin shtuar 200 nxënës nga shkolla e mesme e agrobiznesit “Arbëria”. Në atë kohë, drejtoresha nga radhët e LDK-së, thoshte se kjo u bë për shkak të sigurisë së nxënësve dhe do të bëhej përkohësisht kjo zhvendosje. Jemi në vitin 2021 dhe qeverisja komunale e la pa zgjidhje dhe mbingarkoi shkollën e mesme teknike. Në mandatin tonë qeverisës lokal, do të bëhen fushata vetëdijesuese për rëndësinë e drejtimit për bujqësi dhe do të lirohet shkolla tjetër e mbingarkuar. Do të nxitet bashkëpunimi me fabrikat e prodhimit bujqësor në komunë me shkollën. Do të rregullohen kushtet infrastrukturore për te shkolla e agrobiznesit “Arbëria”, me ndriçim, trotuare, transport publik etj.
13. Do të nxiten aktivitete jashtëshkollore, të cilat parashihen me Kurrikulën e Arsimit Parauniversitar dhe do të mbështeten mësimdhënësit që marrin nisma të tilla.
14. Do të ketë heqje të licencimit të mësimdhënësit që nuk është i përgjegjshëm, bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, Nenin 33 – Licencimi i mësimdhënësve, paragrafi 10, ku përcaktohet: “Një licencë mund të merret apo pezullohet nga Ministria me kërkesë të drejtorit komunal të arsimit, atëherë kur procedurat disiplinore janë ndërmarrë kundër një mësimdhënësi. Pezullimi do të shqyrtohet pas përfundimit të procedurave të tilla dhe ndonjë ankese që mund të paraqitet.” Për mësimdhënësit me procedurë disiplinore, do t’i bëhet kërkesë Ministrisë nga drejtori komunal i arsimit, për t’ia marrë licencën ose për t’i pezulluar.
15. Do të ketë përkrahje sistematike për arsim gjithëpërfshirës. Shumë prindër të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore, janë të pakënaqur me angazhimin e komunës dhe drejtorisë komunale për arsim, në integrimin e fëmijëve të tyre. Kjo bie në kundërshtim me Ligjin për Arsimin Parauniversitar, sepse siç thotë ligji, neni 40 – Parimi i arsimit gjithëpërfshirës, paragrafi 3: “Komunat marrin masa për të mbështetur përfshirjen e fëmijëve në shkolla të rregullta të komunës, përfshirë edhe themelimin e dhomave burimore dhe klasave të përshtatura për nxënësit me aftësi të kufizuara fizike, përfshirë ato ndijore. Deri vonë, ka pasur mungesë të madhe të asistentëve të fëmijëve me nevoja të veçanta.” Do të ketë më shumë asistentë për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore në shkollat e Komunës së Gjilanit dhe gjithëpërfshirje për fëmijët e tillë.
16. Do të kërkohet buxhet shtesë për rritjen e numrit të psikologëve në shkollat e Komunës së Gjilanit.
Zyra për Informim e PDK-së, Gjilan
/Hapësirë e rezervuar për fushatë/