(2L ONLINE) – Familja pesë anëtarësh e Vehid Ibrahimit nga Muqibaba e Komunës së Gjilanit, ka ngelur pa shtëpi, pasi atë ja bënë shkrumb e hi flakët e zjarrit.
Vehid Ibrahimi, kryefamiljar i ka thënë Portalit 2L ONLINE se zjarri që ja kishte kapluar shtëpinë sot ja ka bërë shkrumb e hi dhe përkundër ndërhyrjes së zjarrfikësve nuk ka shpëtuar asgjë sepse zjarrit nuk ju deshtë më shumë se një orë për të rrafshuar shtëpinë e tij. Ai thotë se me kohë kishte telefonuar zjarrfikësit dhe policinë por se sipas tij intervenimi i zjarrfikësve ishte i vonshëm.
“Kur u quam për syfyr, dëgjuam zhurmë lartë pasi flakët e zjarrit kishin kapluar tavanin. Me të shpejtë bashkë me shoqen i kemi kapur fëmijët e kemi dal jashtë. Nuk patëm mundësi me ndërhy vet edhe në mungesë të ujit, ndërsa telefonuam menjëherë zjarrfikësit, por ata erdhën me vonesë dhe nuk u shpëtua asgjë. Ai dyshon se deri tek zjarri erdhi si pasojë e ndonjë defekti në instalim të rrymës ” thotë Ibrahimi.
Tani, ai thotë se ka mbetur jashtë me shoqen dhe tre fëmijët dhe se e ka ndërmend që sonte të hyjë në shkollën e fshatit për ta kaluar natën aty, por edhe për të qëndruar deri sa t’i bëhet ndonjë zgjidhje.
Ai thotë se është i papunë, me ndihmë sociale dhe herë pas here duke u angazhuar me sigurimin e shtijën e druve sa për të mbetur, siç thotë ai, gjallë.
Përndryshe, Vehid Ibrahimi njihet si aktivistë shumëvjeçar i fshatit. Ai thotë të jetë angazhuar maksimalisht për të mirën e gjithë bashkëfshatarëve të tij. Tani thotë se është bërë vet për ndihmë dhe pret që institucionet t’i përgjigjen pozitivisht dhe ta ndihmojnë nga kjo gjendje e rëndë pasi vlerëson se ka pësuar goditje të rëndë sepse gjithçka që kishte ndërtuar me vite të tëra për familjen e tij, u zhbë për më pak se një orë. /2L ONLINE/