Pas gjendjes emergjente të shpallur nga kryetari i Gjilanit si pasojë e rënies drrastike të nivelit të ujit në Pendën e Përlepnicës, në Gjilan është mbajtur sot konferencë një ditore, ku pos të parit të Komunës dhe atij të kompanisë Hidromorava, kanë marrë pjesë edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ministri Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ai Mjedisit, Fatmir Matoshi dhe përfaqësues të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka falënderuar ministrat për prezencën dhe zotimin për mbështetjen e ofruar, duke paralajmëruar se janë në finalizim të Planit Kontigjent për përballimin e kësaj situate.
“Jemi njëra nga komunat që 92 për qind e qytetarëve i kemi furnizuar me ujë, 24 orë e shtatë ditë. Por, përballja me thatësinë e madhe është situatë që po përsëritet çdo katër vite që sivjet ka përshkallzuar. Sezoni i verës, i nxehti që po pritet me ndodhë dhe rritja e numrit të qytetarëve me ardhjen e bashkatdhetarëve, bën që ne të mobilizohemi për ta menaxhuar këtë gjendje”, ka thënë Haziri.
“Qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen, por duhet të ketë kursim. Uji të përdoret vetëm për nevoja të domosdoshme dhe jo më për ujitje të kopshteve, rrugëve, trotuareve dhe nga autolarjet. Me vetë faktin që asnjë gjobë nuk e kemi shqiptuar, tregon për solidaritetin masiv të qytetarëve dhe unë jam falënderues. Do të vazhdojmë të punojmë shumë për ta normalizuar këtë situatë dhe për ta përballuar bashkë”, tha Haziri.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, i cili në këtë konferencë ka qenë në emër të kryeministrit Haradinaj, ka folur për alternativat më të shpejta dhe ato afatmesme të zgjidhjes së këtij problemi që u diskutuan në këtë tryezë.
“Përpos hapjes së puseve të reja, ne kemi shqyrtuar edhe dy alternativa afatmesme për zgjidhjen e problemit të ujit edhe atë përmes furnizimit nga lumit Krivareka e cila kap shumën e tre milionë eurove dhe për ndërtimin e Pendes së Llapushnicës, në gjatësi prej 11 kilometrash dhe me kapacitet prej 7 milionë litrash. Brenda dy tre ditësh do ta kemi rezultatin se sa mjete do të ndajmë si qeveri për daljen nga kjo situatë”, tha Kadriu.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka deklaruar se janë dakorduar që të themelohet një grup ndërinstitucional, ku përfshihen Qeveria, Komuna, Hidromorava dhe ekspërtët, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes së furnizimit me ujë të pijes.
“Prezenca e ministrave këtu është për ta siguruar kryetarin Haziri dhe kryeshefin e Hindormoravës se Qeveria është e përkushtuar që kjo krizë të tejkalohet në mënyrën më të mirë, pas shpalljes së gjendjes emergjente për furnizim për ujë. Ndërsa, hapi i dytë në këtë konferencë është për të debatuar për herë të pare, në mënyrë që ta gjejmë një zgjidhje afatgjate për Gjilanin”, pohoi Matoshi.
Ndërkohë, kryeshefi i kompanisë Hidromorava, Muhamet Suliqi dhe Afrim Lajçi nga Këshilli Ndërministror, pohuan se lajmi i mirë i kësaj konference është gatishmëria e ofruar e Qeverisë së Kosovës për t’i dalë në ndihmë dhe për ta zgjidhur problemin e Gjilanit për ujin e pijshëm.
Paraprakisht, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe përfaqësuesit e Qeverisë, kanë vizituar Penden e Përlepnicës, për të parë nga afër gjendjen aty.