Duke pasur parasysh afatet që përcakton ligji, mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarin e Mitrovicës veriore do të duhej të mbahen kah fundi i shkurtit. Këtë vlerësim e jep edhe kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, e cila thotë se KQZ është e përgatitur për përsëritjen e zgjedhjeve të reja në atë komunë.
Afati ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicën veriore, për kryetar komune, është nga 30 deri në 45 ditë. Kështu vlerëson njohësi i procesit zgjedhor Mazllum Baraliu, i cili thekson se tani i mbetet presidentes që të vendos për datën e zgjedhjeve të reja, transmeton RTK.
“Ligji parasheh afatin prej 45 ditësh për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në këtë rast të jashtëzakonshme për Mitrovicën e veriut. Natyrisht, data shpallet nga presidentja por duhet në konsultim me KQZ-në dhe subjektet politike”, tha ai.
Duke pasur parasysh afatin ligjor prej 45 ditësh, atëherë fundi i shkurtit mund të jetë koha kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet për kryetar në atë komunë. Në anën tjetër, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, thekson për Radio Kosovën se institucioni që ajo e udhëheq, është e gatshme për organizimin e zgjedhjeve të reja.
“Natyrisht që KQZ-ja e ka edhe obligim kushtetues që të bëjë organizimin dhe përgatitjet për zgjedhje. Por, ne edhe pse sapo kemi dalë nga një proces zgjedhor ne jemi të përgatitur dhe në njëfarë mënyre kjo na bie si një lloj vazhdimësie e punës”, theksoi ajo.
Ndryshe, kjo është hera e katërtë që organizohen zgjedhje për kryetar të komunës që nga tre nëntori, kur u mbajtën zgjedhjet në nivel të shtetit, më 17 nëntor ishin përsëritur zgjedhjet në tri qendra të votimit, ndërsa më një dhjetor zgjedhjet për balotazh.
Ndërsa, tani për herë të katërt, mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën veriore, meqë kryetari Kërstimir Pantiq, nuk e dha betimin para anëtarëve të Kuvendit Komunal.